22 Nëntori, 115 vite nga unifikimi i alfabetit shqip, kreu shtetëror uron ditën e alfabetit

22.11.2023 12:00

115 vite më parë në qytetin e Manastirit...

115 vite më parë në qytetin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe. Në kongresin e mbajtur nga 14 nëntori deri më 22 nëntor, në praninë e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin.

Kongresi është vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptarë në fillimet e shekullit të 20-të, pasi i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të 1912-ës.

Shqiptarët e të gjitha trevave sot festojnë këtë ditë. Qeveria e vendit do të organizojë akademi solemne duke rikujtuar edhe njëherë kontributin e intelektualëve të kohës në unifikimin e alfabetit. Ndërkohë, që nuk kanë munguar as urimet e kreut shtetëror.

Presidenti Stevo Pendarovski ka uruar shqiptarët për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar si një nga shtyllat kryesore të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, pasi intelektualët më të shquar shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në kongresin e Manastirit, i cili rezultoi me vendimin historik për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Frutat e këtij akti krucial politik dhe kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumetnike dhe shumëkulturore të Maqedonisë së Veriut. Duke dërguar dëshirat më të sinqerta, festën ta kalojmë në paqe, shëndet, gëzim dhe mirëqenie, uroj edhe njëherë t’i konfirmojmë bindjet e përbashkëta për solidaritet dhe barazi, si kyçe për prosperitetin e atdheut tonë të përbashkët.”, theksohet në urimin  e presidentit, Pendarovski.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi Xhaferi, në emër të deputetëve ka uruar festën duke thënë se vegla më e fuqishme e një populli është alfabeti i unifikuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën shqipe, kulturën shqipe, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike.

“Ne, si politikanë përgjegjës, kemi obligim të ruajmë dhe të përsosim atë amanet në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë që e ndërmarrim. Gjuha është vegël e fuqishme, e cila na bashkon ndër vete, ndërsa në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vend në të cilin kultivohen dhe respektohen të gjitha dallimet, është vlerë e shtuar e cila bashkon edhe njerëz edhe ide, kontribuon në përparimin dhe zhvillimin e shtetit.”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit, Xhaferi.

Lidhja Evropiane për Ndryshim në mesazhin drejtuar shqiptarëve shkruan se sot është dita kur ne të gjithë duhet të flasim më shumë se kurrë për gjuhën shqipe, duke shtuar që kujdesi për gjuhën nuk është vetëm kujdes për një mjet komunikimi, por më shumë se kaq është kujdes për të kaluarën, për të sotmen dhe për të ardhmen tonë. (Meral Ismaili, TVM2)