Prizren, dhjetë të lënduar nga një granatë dore

22.11.2023 13:19

Në Prizren të Kosovës, dhjetë persona janë lënduar...

Në Prizren të Kosovës, dhjetë persona janë lënduar si pasojë e shpërthimit të një granatë dore në një treg të kafshëve. Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi për Informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi.

“Pesë nga të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK), ndërsa të tjerët janë liruar nga spitali.”, ka thënë shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti. “Ata u transferuan në QKUK, për shkak të lëndimeve në gjoks dhe qafë, si dhe për shkak të mungesës se kirurgut torakal në Spitalin e Prizrenit,” ka thënë Veçgishti.

Ndërkohë, Gashi theksoi se tre persona të dyshuar për incidentin janë identifikuar dhe janë duke u kërkuar nga policia.

“Rreth orës 04:50, policia ka pranuar informatë për një rast plagosjeje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se nëntë perona kane pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore.”, ka thënë Gashi. Motivet e incidentit nuk janë bërë të ditura menjëherë.