115 vjetori i Kongresit të Manastirit, motrat Qiriazi në pullat e reja postare
Me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit....

Me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si dhe gjashtëmbëdhjetë vjetorin e themelimit të Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Postën e RMV-së, u promovua pulla e re postare, e cila është e stampuar me portretin e dy figurave të shquara kombëtare shqiptare, motrave Qiriazi.
Motrat Sevasti dhe Parashqev Qiriazi luajtën një rol të madh në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje historike për shkronjat shqipe dhe i hapën udhë emancipimit të mëtutjeshëm kombit shqiptar. Kjo ditë është shpallur edhe festë shtetërore për shqiptarët e RMV-së.
“Ky Kongres po e unifikonte një komb, po e trajtësonte një gjuhë dhe po e linte një kulturë. Kulminacioni dhe madhështia e ditëlindjes së Alfabetit përplotësohet edhe me ditëlindjen e institutit tonë.”, - theksoi kreu i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Hasani.
“Ideja ishte që këtë festë madhështore ta begatojmë me një pullë postare, në të cilën do të ishin motrat Qiriazi si kontribuuese dhe delegate të Kongresit të Manastirit, të mbajtur më 22 Nëntor në Manastir.”, - u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Postave të RVM-së, Bujare Asani.
“Për shqiptarët e Maqedonisë ka peshë të veçantë për arsye se me ligj të veçantë e shpallëm ditë jo punë për popullin shqiptar këtu në Maqedoninë e Veriut. Me ligj të veçantë e shpallëm 22 Nëntorin “Çmim Kombëtar Shtetëror”, për profesionist të arrirë shqiptar dhe të tjerë. Ndërsa këtë vit të gjitha manifestimet e ditëve të alfabetit dhe çdo aktiviteti për të shënuar Kongresin e Manastirit mbulohen nga Qeveria e RVM-së.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.
“Familja Qiriazi, si protagonist në ngjarjet kyçe historike, krahas rilindësve ku spikatën pjesëmarrjen e gjerë të anëtarëve të saj, që kontribuuan për përhapjen e arsimit në një periudhë mjaft të vështirë. Të frymëzuar nga idealet e rilindësve dhe vlerat ortodokse që Sevastia, Parashqivia dhe mbarë familja Qiriazi, transmetuan me angazhimin e tyre konkret, duke hapur edhe dyert e shtëpisë së tyre për 11-tëshen e Komisionit të Kongresit, gjithçka nën parimin e rilindësve: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”! – theksoi stërmbesa e Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos, Rozi Dako.
Çdo vit, Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Postën e RMV-SË, ka promovuar pulla postare me figura të tjera të shquara kombëtare shqiptare. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
