Stoltenberg në Shkup: Rajoni nuk kërcënohet nga konflikti ushtarak

22.11.2023 14:59

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg....

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, takoi në Shkup liderët e shteteve anëtare të aleancës në Ballkan, për të biseduar për sigurinë e rajonit. Takimi në Shkup u realizua pas vizitës së Stoltenberg në Prishtinë dhe Beograd. Ndërsa vlerësimi i tij është se rajoni nuk është i kërcënuar drejtpërdrejt me ndonjë konflikt ushtarak.

Rajoni i Ballkanit është me rëndësi strategjike për NATO-n, por kemi shkaqe për t’u shqetësuar, situata dhe kërcënimet në Bosnjë e Hercegovinë, situata në Kosovë dhe bisedimet e mëtutjeshme në mes Prishtinës dhe Beogradit, shtetet autoritare si Rusia po kërcënojnë integritetin tonë, tha Stoltenberg.

“Duhet ta kuptojmë se ky rajon është me rëndësi për NATO-n dhe ne nuk kemi detektuar rrezik të madh ushtarak. Atë që shohim është rritje e tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, megjithatë jo rreziqe të drejtpërdrejta ushtarake ndaj ndonjë shteti konkret. Mendojmë se është e rëndësishme të dëshmohet mbështetja e autoriteteve në Kosovë, kemi rritur prezencën tonë me 1 mijë ushtarë dhe armatim më të rëndë dhe po monitorojmë situatën për të siguruar ndihmë për aleatët tonë në rajon dhe si ta stbailizojmë rajonin.”, - deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kovaçevski: Situata e sigurisë në RMV, stabile

RMV-ja është i njohur si aleat strategjik i NATO-s dhe faktor për stabilitet në rajon, deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se situata e sigurisë në vend është stabile.

“Situata  e sigurisë në shtetin tonë është stabile dhe nuk ka indicje të rrezikut. Tanimë jemi 3 vite anëtarë të NATO-s, niveli i informacioneve që institucionet e shërbimeve të sigurisë së shtetit tonë dhe të NATO-s i ndajnë me vendet anëtare të NATO-s, ku bëjnë pjesë vendet më të zhvilluara me sisteme dhe mekanizma më të avancuara të sigurisë, në raport me individë dhe grupe që dëshirojnë të cenojnë sigurinë në cilin do shtet është në nivel që nuk mund të paramendohet. Bëhet fjalë për informacione të detajuara të sakta në kohë dhe të  sistematizuara.”, - theksoi kryeministri i RMV-së,  Dimitar Kovaçevski.

Rama:“Banjska” nuk guxon të përsëritet në Kosovë

Kryeministri shqiptar, Rama, u shpreh se vëmendja duhet të fokusohet te mbrojtja dhe ruajtja e paqes në rajon, për çka theksoi nevojën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Theksova në takim domosdoshmërinë e rritjes e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, drogës dhe aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist, që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë, ku humbi jetën në krye detyrës punonjësi i Policisë së Republikës së Kosovës. Qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit, që siç e tha sekretari ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millovanoviq dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, theksuan se një Ballkan Perëndimor stabil dhe i sigurt është i mundur vetëm me perspektivë ekonomike të rajonit dhe i anëtarësuar në Bashkimin Evropian. (Gazmend Rexhepi, TVM2)