Maqedoni

Ndërkombëtarët reagojnë për situatën: përgjegjësi nga autoritetet, zbardhje të rasteve

18.03.2015 17:20

Reagimet ndërkombëtare rreth krizës politike në të cilën gjendet Maqedonia po bëhen gjithnjë e më të ashpra...

Ndërkombëtarët kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet, zbardhje të rasteve dhe një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
 
Zhvillimet në skenën politike në vend janë në qendër të vëmendjes të komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht të Ambasadës amerikane dhe gjermane në vend, si dhe të zyrës së BE-së. 
 
“Ambasada amerikane vazhdon të ndjekë me vëmendje zhvillimet politike, e cila e vë në pyetje pavarësinë e mediumeve dhe gjyqësorit, si dhe respektimin e vlerave tjera demokratike në Maqedoni. Si përkrahës të integrimit të Maqedonisë në komunitetin euroatlantik bëjmë vërejtje se kjo është një mundësi për institucionet e Maqedonisë të tregojnë që kanë kapacitet t’ju shërbejnë qytetarëve në mënyrë efikase dhe të paanshme. Apelojmë të përdoren standardet më të larta të shtetit juridik për transparencë dhe drejtësi, dhe për mbrojtje të lirisë së  fjalës dhe lirisë së gjyqësorit, kështu që këto të vazhdojnë të zhvillohen”- theksojnë nga Ambasada amerikane.
 
Ambasada e Gjermanisë bën me dije që mund të rrezikohet funksionimi i opozitës për shkak të ndjekjes penale të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe  është i nevojshëm hetim i plotë në lidhje me akuzat.
 
Nga kjo ambasadë potencojnë  se  institucionet e Maqedonisë e kanë për detyrë të ballafaqohen me të gjitha sfidat në të cilat janë të ekspozuara, në mënyrë transparentë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.  
 
“Askush nuk mund të ndërmerr atë detyrë në vend të tyre. Gjermania dhe disa shtete tjera kanë bërë me dije që në këtë situatë u mundësohet institucioneve të Maqedonisë një shansë e madhe t’i tregojnë kapacitetet e tyre demokratike. Si bazë e këtij procesi është e rëndësishme marrëveshja politike, e cila në mënyrë të drejtë do të zbardh akuzat të cilat i bëjnë dëm institucioneve dhe individëve”- thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane.
 
Brengosje të thellë treguan edhe nga Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara për përmbajtjen e bisedave të publikuara të cilat i fajësojnë zyrtarët e lartë për një numër të lartë të shkeljeve të dukshme të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mashtrime në procesin zgjedhor, maltretime, përzierje në gjyqësor dhe mediume, si dhe në mbikëqyrje masive.
 
BESA JASHARI