Tetovë, debat mbi rolin e Kongresit të Manastirit

22.11.2023 15:24

Donika Baftiu tha se gabime drejtshkrimore...

“Roli i Kongresit të Manastirit në konsolidimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar" ishte tema e debatit të organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të ditës se Alfabetit.

Donika Baftiu tha se gabime drejtshkrimore kemi kudo nëpër institucione qendrore e lokale. Baftiu kërkoi që të punësohen gjuhëtar, albanolog e lektorë, pasi gabimet gjuhësore janë të shumta.

“Në të folur jemi deri diku, por në të shkruar kemi gabime drejtshkrimore, kudo qoftë në institucione, qoftë në veprimtari publike e private ku shkojmë dhe i shohim kudo, veçanërisht ne gjuhëtarët. Drejtshkrimin e kemi edhe në dokumente zyrtare, qoftë nga ana e ministrive, por edhe nga komunat, shohim gabime drejtshkrimore. Me ligj duhet të kemi gjuhëtar kudo, të kemi një albanolog, përkthyes, lektor kudo, që të kontrollohen gabimet drejtshkrimore.”, - theksoi Donika Baftiu nga Komuna e Tetovës.

Për historikun dhe rolin e Kongresit të Manastirit folën Bardhyl Zaimi dhe profesor, Remzi Jashari, të cilët thanë se Kongresi i Manastirit ka një rol të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

“Misioni i Kongresit të Alfabetit ka qenë njësimi i alfabetit, që njëkohësisht nënkupton edhe njehsimin gjuhësor, kulturor e politik të shqiptarëve. Ajo kohë për shqiptarët ka qenë tepër e trazuar dhe Kongresi i Manastirit, i Alfabetit përfaqëson pikërisht atë krye shtyllë të identitetit shqiptar.”, - u shpreh Bardhyl Zaimi.

“Në Manastir u tubuam të gjithë shqiptarët nga do që  ishin. Thirrje u bënë të gjithë intelektualëve kudo që ato vepronin në klubet e tyre, si në Bukuresht, Sofje e Amerikë. Në kongres i parashtruan tre alfabete, ai i shoqërisë “Bashkimi” i prirë nga Gjergj Fishta, i shoqërisë “Agimi” nga Ndre Mjeda dhe i shoqërisë së Stambollit i quajtur “Të shtypurit e shkronjave shqipe.”, - theksoi gjuhëtari, Remzi Jashari.

Festa e ditës së Alfabetit do të përmbyllet me një akademi solemne të organizuar nga Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Pedagogëve Shqiptarë. Ndërsa, Universiteti i Tetovës, ka propozuar që 22 Nëntori të jetë festë edhe në Shqipëri dhe Kosovë, sikurse është në vendin tonë. (Visar Sadiki, TVM2)