Ekonomi

Qendra për Marrëdhënie me Bizneset, UShT lidh marrëveshje me kompanitë private

18.03.2015 17:25

Universiteti Shtetëror i Tetovës përforcon bashkëpunimin me sektorin privat...

Sot UShT nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim me ndërmarrjet më prestigjioze të vendit.
 
Qëllimi i kësaj marrëveshje është organizimi i aktiviteteve të ndryshme, organizimi i trajnimit të punëtorëve nga sektori i menaxhmentit dhe marketingut, dhe  realizimi i projekteve të përbashkëta nga sfera ekonomike dhe financiare.
 
“Ndërmarrjet do t’i sigurojnë universitetit mundësinë e kryerjes së punës praktike të studentëve në hapësirat e këtyre ndërmarrjeve. Të vetëdijshëm që vetë fati i zhvillimit ekonomik i vendit tonë në të ardhmen varet drejtpërsëdrejti nga fuqizimi i sektorit privat na obligon të kujdesemi dhe t’u ofrojmë këtyre ndërmarrjeve mbështetjen tonë profesionale për prosperitetin ekonomik të kësaj veprimtarie jetike për shoqërinë tonë”- deklaroi rektori i UShT-së, Vullnet Ahmeti.
 
Kompanitë theksuan se ky është një hap mjaft i qëlluar. që do të ndihmojë në realizimin e projekteve të përbashkëta. 
 
“Shpresojmë që në të ardhmen ky bashkëpunim do të rritet, meqë nuk ka munguar deri tash bashkëpunimi me UShT-në. Është hap i qëlluar hapja e zyrës për bashkëpunim dhe ndërlidhje me biznesin”- tha pronari i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemali Dauti.
 
Universiteti Shtetëror i Tetovës, ditë më parë, me vendim të senatit themeloi Qendrën për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset.
 
Rektori i UShT-së theksoi se qëllimi i themelimit të kësaj qendre është aktualizimi i mëtejmë i universitetit me komunitetin biznesor.
 
ERSAN PAJAZITI