Maqedoni
“Bomba XI”, parregullsitë zgjedhore në Strumicë
18.03.2015 18:08
LSDM-ja opozitare publikoi sot audio-xhirimet e përgjuara nga të cilat, siç thonë nga kjo parti...

LSDM-ja opozitare publikoi sot audio-xhirimet e përgjuara nga të cilat, siç thonë nga kjo parti, dëgjohet se si partia në pushtet ka vjedhur votat edhe në Strumicë, se si atje janë dërguar inspektime dhe se si janë shantazhuar, keqtrajtuar dhe kërcënuar votuesit.
Sipas LSDM-së, edhe në Strumicë, sikurse në vendbanimet e tjera, janë dhënë letërnjoftime të shumëfishta për aktivistët e VMRO-së për të votuar disa herë në më tepër vendvotime.
Deputeti i LSDM-së nga Strumica, Pançe Orcev, publikoi bisedë telefonike, që sipas tij, dëshmon se në shpërndarjen e letërnjoftimeve ka qenë i përfshirë edhe kryeshefi i Sektorit Policor të Strumicës, Marjan Nakovski.
“Sot qytetarët e Strumicës do të dëgjojnë dhe do të binden personalisht nga Nikolla Gruevski dhe disa bashkëpunëtorë të tij çka kanë bërë që të fitojnë zgjedhjet, si u kanë bërë presion qytetarëve, si i kanë maltretuar kompanitë vetëm që të kënaqin dëshirën, që të mundin kryetarin e Komunës, Zoran Zaevin, dhe të vendosin edhe Strumicën nën kontrollin e tyre”- deklaroi deputeti i LSDM-së, Pançe Orcev.
Në një prej audio-xhirimeve të publikuara nga LSDM-ja u dëgjua për herë të parë edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, që paralajmëron kryeministrin Gruevski se bashkëpartiaku i tyre, Sllave Goshev, ka reketuar thuajse gjithë bizneset në Strumicë.
Gjithashtu u dëgjua edhe njëherë audio-xhirimi i lëshuar edhe në “bombën e 8-të”, ku tregohet marrëveshja mes VMRO-së dhe PDSH-së për Strumicën.
Edhe në “bombën e 11-të” nuk mungojnë bisedat e ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës, e cila, siç thonë nga LSDM-ja, kërkon që të mos firmosen procesverbalet në disa vendvotime, me qëllim që të përsëritet votimi dhe se si Jankullovska pranon se një anëtarë i VMRO-së ka shtënë me armë zjarri ditën e votimeve, ndërsa MPB-ja ka raportuar rrejshëm se bëhet fjalë për armë-gazi.
SANIJE KASAMI
