Ekonomi
Bekteshi: Rryma nuk do të rritet as në blloqe e as në tërësi
23.11.2023 13:06
Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet as në blloqe e as në tërësi, siguron ministri i Ekonomisë...

Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet as në blloqe e as në tërësi, siguron ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Institucionet kompetente aktualisht janë duke bërë analiza, por sipas ministrit ato janë për mbrojtjen e qytetarëve.
“Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet si në blloqe ashtu edhe në tërësi. Aktualisht janë duke u bërë analiza nga Komisioni Rregullativ i Energjisë dhe nga institucionet kompetente në zonën e blloqeve, sepse duam të mbrojmë gjithnjë e më shumë kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, ata që kursejnë dhe ata që parashihen sipas Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe sigurisht sipas asaj që parashikohet si të ardhura të ulëta nga Ministria e Ekonomisë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ai shpjegoi se ndikimin më të madh në çmimin e energjisë elektrike e ka marzha që do të ofrohet nga furnizuesi universal në procedurën e tenderit. Në tenderin e radhës, ministri Bekteshi pret një ofertë me marzhë më të ulët në pesë vitet e fundit.
“Furnizuesi universal konkurron me një procedurë tenderimi për marzhën e fitimit që do të ketë për pesë vitet e ardhshme. Aktualisht është 11 e më tepër sipas tenderit që ishte pesë vite më parë. Në vitin e ardhshëm do të shohim se çfarë çmimi do të marrim. Jam i bindur se do të jetë nën 11%. Duke marrë parasysh të gjithë parametrat hyrës dhe sigurisht furnizimin që i bëhet MEPSO-s në fushën e humbjeve dhe shërbimet e sistemit që ato ofrojnë. Ne nuk mund të ndikojmë vetëm në pjesën e marzhës që fitohet në një procedurë tenderimi nga furnizuesi universal. A do të jetë 10, 11, 12 apo 9 ose 8, kjo do të varet nga ofertat që do të merren vitin e ardhshëm në pjesën e furnizuesit universal.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
ESM-ja do t'i bëjë përllogaritjet për çmimin e energjisë elektrike nga viti i ardhshëm, fjalën përfundimtare për çmimin do ta ketë Komisioni Rregullativ për Energji, i cili do t'i mbikëqyrë llogaritjet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
