Botë
Samiti i Diasporës, mblidhen shqiptarët nga çdo cep i botës në Tiranë
23.11.2023 13:31
Samiti i tretë i Diasporës, mblodhi në Tiranë shqiptarë nga çdo cep i botës...

Samiti i tretë i Diasporës, mblodhi në Tiranë shqiptarë nga çdo cep i botës, nga politikanë, e deri në emigrantë me histori suksesi. Falënderues për kontributin e tyre, presidenti Bajram Begaj, kërkoi që Diasporës t’i shlyhet borxhi për të drejtën e votës.
“Duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre pa ardhur në Shqipëri. Diaspora të ketë përfaqësim politik për t’u dhënë zë shqiptarëve jashtë vendit. Ju jemi borxhlinj. Në aspektin e remitancave, ideve dhe nismave të ndryshme.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kosova e ka arritur votën e Diasporës dhe gjithçka që kërkon është t’i qëndrohet pranë Preshevës që po përballet me spastrim etnik.
“Vëllezërit e motrat në Preshevë përballen me spastrim etnik. Nuk jeni vetëm, jemi bashkë. Mërgata qëndroi në ballë të luftës për shtet të pavarur. Kontributi e ka shndërruar në krah të fortë ekonomik. Mërgata më në fund do ta ketë të drejtën e votës në ambasada e konsullatat tonë ku jetojnë. Kurrë nuk do të ishim këtu sikur të mos ishit ju.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi nga ai ta ngrejë edhe më shumë zërin sesa e ka ngritur deri më tani dhe se të gjithë do i ketë në krahë.
“Vendet tona mund t’i kemi shpejt në BE, Evropa s’mund të jetë e qetë pa Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi e RMV-në. Një hap para anëtarësimit, duhet edhe më fort ta ngresh zërin! Na ke në krahë!”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Për kreun e Këshillit të Diasporës, Mark Gjonaj, Samiti i ardhshëm duhet mbajtur në Kosovë, ndërsa një thirrje e pati për Aleksandar Vuqiçin.
“Samiti i Diasporës 4 në Kosovë, më pas në Mal të zi edhe në Preshevë. Jepja votën e Diasporës se e meriton, që të mos shtyhet procesi. Merrni ligjin e Kosovës të votohet në zgjedhjet e ardhshme. Shembuj: 1. U bë Kosova shtet i pavarur. Serbisë një mesazh: Mos na ngacmo Kosovën e kosovarët ma! Të vazhdojnë jetën që meritojnë! 2. Fitorja e kombëtares.”, - theksoi kryetari i Këshillit të Diasporës, Mark Gjonaj.
Mesazhe pati edhe nga zëvendëskryeministri i Malit të zi dhe kryetari i Preshevës.
“Integrimi i shqiptarëve në Mal të Zi s’ka ardhur rastësisht, por faktorizimi i shtetit amë në drejtimin e Ramës. Për herë të parë anëtarë i GJK është një shqiptar.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Nik Gjeloshaj.
“Po kalon një situatë të pabesueshme. Çdo qytetar mbytet ngadalë nëpërmjet një procesi të spastrimit etnik e burokratik. Kemi front të padukshëm me Serbinë. Të jemi të unifikuar. Çdo ditë që humbim, është një humbje e një qytetari shqiptar në vend autokton. Investoni më shumë kohë!”, - theksoi kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi.
Ky është Samiti i tretë i Diasporës ku po marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet e shqiptarëve.
LULJETA NDOKA
