Maqedoni

“Bamirësit Struganë”, aksion humanitar në Spitalin e Strugës

23.11.2023 13:47

Shoqata humanitare “Bamirësit Struganë” së bashku me një organizatë joqeveritare nga Holanda...

Shoqata humanitare “Bamirësit Struganë” së bashku me një organizatë joqeveritare nga Holanda realizuan një aksion humanitar në repartin e pediatrisë në Spitalin e Strugës. Ky aksion kishte për qëllim që të ngjyrosen muret e repartit të pediatrisë, për t’i dhënë një pamje më të këndshme për fëmijët. Përveç ngjyrosjes së murit, pjesë e këtij aksioni është edhe rinovimi i dy dritareve në repart dhe ndarja e një dhome në dy, me qëllim që të ofrohen hapësira më komode për fëmijët e hospitalizuar. 
 
“Ne jemi të vetëdijshëm se spitali jonë ka shumë më shumë nevojë, por qëllimi jonë është që të bëjmë diçka të vogël që të tregojmë shoqërisë tonë, njerëzve tonë se kontributi jonë është i rëndësishëm sado i vogël që të jetë.”, - deklaroi Shefkije Alasani Dika nga “Bamirësit Struganë”. 
 
Iniciativës iu bashkëngjitën vullnetarë nga organizata joqeveritare “Mara” nga Holanda.
 
“Ne jemi nga Holanda, ne jemi studentë, jemi pjesë e një grupi humanitar që fokusohet në vendet e Ballkanit. Për njerëzit që kanë nevojë, kemi qenë pjesë e disa projekteve, dje ishim tek qendra për fëmijët me aftësi të kufizuara, tani jemi këtu në spital.”, - theksoi Job Gud nga organizata “Mara” nga Holanda.
 
“Ne duam të bëjmë gjëra të ndryshme për njerëzit që kanë nevojë. S’kemi qenë më herët në Maqedoni dhe menduam që do të ishte vend i mirë për të dhënë pak ndihmë.”, - u shpreh Lukas Timerman nga organizata “Mara”, Holandë.
 
“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të kontribuosh dhe të investosh për fëmijët, ata janë e ardhmja e vendit dhe kanë nevojë për përkrahjen tonë më të madhe.”, - theksoi piktorja dhe mësuesja, Vjosa Pollozhani. 
 
“Zakonisht më pëlqejnë këto aktivitete, sidomos për fëmijët që kanë nevojë dhe do të doja të merrja pjesë në më shumë aktivitete, sidomos për spitalet ku mund të kontribuojmë.”, - u shpreh piktorja dhe nxënësja, Elona Pollozhani. 
 
Pas përfundimit të rinovimit të një dhome dhe dy dritareve, më pas pjesë e këtij aksioni do të jetë edhe ndarja e një dhome lojërash brenda repartit të pediatrisë, ku fëmijët e hospitalizuar do të kenë mundësi të luajnë. 
 
ILMIE ZHAKU