Maqedoni
Zgjedhjet, Kovaçevski: Në dhjetor, takim liderësh në Kuvend për datën
23.11.2023 14:06
Në dhjetor do të mbahet mbledhje në Kuvend, ku do të përcaktohen të gjitha detajet lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve...

Në dhjetor do të mbahet mbledhje në Kuvend, ku do të përcaktohen të gjitha detajet lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, njoftoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai nuk precizoi një datë të mundshme, por përsëriti se ka hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje të rregullta presidenciale dhe parlamentare në maj. Kovaçevski refuzoi të konfirmojë nëse zgjedhjet do të mbahen më 8 maj.
“Po bëhen bisedime me partitë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe siç thashë në maj, ka hapësirë të mjaftueshme për të organizuar zgjedhje të rregullta presidenciale dhe parlamentare. Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, planifikoj që në periudhën e ardhshme, sepse dhjetori ofron një mundësi të tillë, të mbajmë një takim në Kuvend me partitë parlamentare, ku do të mund të përcaktojmë të gjitha detajet rreth mbajtjes së zgjedhjeve dhe për të shkuar në zgjedhje vitin e ardhshëm.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Lidhur me vendimet përfundimtare, Kovaçevski tha se janë dy vendime që duhet të merren për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Njëri është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke futur të gjitha komentet nga OSBE-ja dhe ODHR-ja. Për të është duke punuar një grup pune, në të cilin fillimisht kanë marrë pjesë ekspertë dhe përfaqësues të partive politike në Kuvend. Tashmë janë përfshirë edhe partitë politike nga pushteti dominues, por edhe nga opozita. Në një kohë shumë të shkurtër do të kemi një Kod Zgjedhor, i cili përfshin të gjitha komentet e OSBE-së dhe ODHR-së dhe që do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, siç kemi pasur në ciklet e kaluara, ndryshe nga 11-vjeçari që ishte, karakterizohet si jodemokratike.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
I pyetur se a do të shkojnë me BDI-në me lista të përbashkëta, ai tha se është vendim i partive dhe subjekt i marrëveshjeve të koalicionit dhe për momentin nuk mund të flet për një gjë të tillë.
SANIJE DURAKU
