Maqedoni

Zjarri në Falishtë vihet nën kontroll, Shukova: Ndotja e ajrit është prezente

23.11.2023 14:25

Zjarri i cili e përfshiu fabrikën e ngjyrave dhe llaqeve në afërsi të fshatit Falishtë të Komunës së Tetovës...

Zjarri i cili e përfshiu fabrikën e ngjyrave dhe llaqeve në afërsi të fshatit Falishtë të Komunës së Tetovës është vënë nën kontroll, por ka bërë që edhe ajri në Tetovë të jetë i ndotur. Institucionet shëndetësore bëjnë apel deri tek qytetarët që pa nevojë mos të dalin jashtë. Ministrja e Ambientit, Kaja Shukova, thotë se ndotja e ajrit është prezente. Sipas saj, nuk mund të masim grimcat PM 2,5  dhe grimca PM 10,5, por tha se pas disa ditësh kur grimcat do të zbresin në tokë do të bëhet analiza e tokës dhe ujit.
 
“Sa i përket asaj që ndodhi dje, është e qartë se do të ketë ndotje të ajrit, fatkeqësisht nuk mund ta masim, për shkak të substancave të paqëndrueshme organike. Qytetarët nuk duhet të dalin pa nevojë, dyert dhe dritaret e shtëpive duhet të mbyllen sepse sigurisht që po flasim për një hapësirë më të madhe, nuk do të jetë vetëm rreth vetë ndërtesës. Ato grimcat do  të zbresin brenda disa ditësh. Unë nuk jam ekspert në atë fushë, por supozoj se meqenëse janë më të rënda, do të zhyten në tokë. Prandaj do të bëhen analiza mbi ujin dhe tokën për të parë se çfarë do të ndotë në të vërtetë tokën dhe ujin.”, - deklaroi ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.
 
Zjarri vazhdon edhe me tej me intensitet të vogël, tha komandanti i NjTKZ-së, Avni Ameti. Sipas tij, sot i njëjti do të shuhet në tërësi.
 
“Deri tani zjarrfikësit e Tetovës, nga shpërthimi i zjarrit deri në këtë moment, kanë qenë në vendngjarje. Gjithë natën kemi qenë këtu. Siç shihet ende kemi zjarr dhe tym të dendur brenda objektit. Siç e dimë brenda tij ka pasur përmbajtje të llaqeve të ndryshme, bombola të gazit dhe gjithçka që shitet në këto depo, të cilat i kemi në rajonin tonë. Sot besoj se do të bëjmë shuarjen totale të këtij zjarri.”, - theksoi komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ameti.
 
Kompani të tilla nuk hyjnë në sistemin e lejeve të integruara, as në nivelin A dhe as në atë B, tha ministrja, Kaja Shukova, por bien nën kontroll në bazë të një raporti të dorëzuar, i cili duhet të miratohet nga komuna. Sipas Shukovës, tani komuna duhet të kontrollojë nëse ky objekt ka funksionuar me masat e parapara, veçanërisht masat kundër zjarrit dhe nëse ka raport për mbrojtjen e mjedisit.
 
VISAR SADIKI