Botë
Tunizi-sulm në Muzeun Kombëtar, vriten 17 turistë, 2 terroristë dhe një polic
18.03.2015 18:11
Tre persona të armatosur sulmuan Muzeun Kombëtar pranë Parlamentit të Tunizisë gjatë së mërkurës...

Tre persona të armatosur sulmuan Muzeun Kombëtar pranë Parlamentit të Tunizisë gjatë së mërkurës, duke vrarë 17 turistë dhe duke marrë peng shumë të tjerë, të cilët janë liruar përmes një operacioni të forcave speciale.
Gjatë blicit të këtyre të fundit mbetën të vrarë 2 militantë dhe një oficer policie, duke e çuar bilancin e viktimave në të paktën 20 të vdekur, raportojnë agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, të cilat shtojnë se tre terroristë të tjerë janë në arrati.
Turistët e vrarë janë kryesisht italianë, spanjollë, polakë dhe gjermanë që po vizitonin muzeun pas një ndalese në Tunizi të anijes turistike me të cilën po udhëtonin.
Disa turistë të tjerë, mes të cilëve edhe francezë e britanikë, rendën sa mundën për të gjetur vende të sigurta strehimi, teksa u ndihmuan edhe nga forcat e sigurisë që përpiqeshin të mbanin armët të drejtuara nga ajri.
Forcat e sigurisë rrethuan të paktën dy prej militantëve në Muzeun “Bardo”, në qendër të Tunizisë, në territorin e parlamentit, që është tepër i preferuar nga turistët e huaj, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Sulmi ndaj një institucioni kaq të lartë përbën një goditje të rëndë për vendin afrikano-verior, që bazohet kryesisht te turizmi, me në krye vizitorët evropianë.
Deri më sot, Tunizia kishte shmangur çdolloj ngjarje të dhunshme të militantëve ekstremistë që prej trazirave të vitit 2011, që rrëzuan autokratin, Zine El-Abidine Ben Ali.
NAIM RAMADANI
