Maqedoni

Rasti “Besa Trans”, dy vite nga fatkeqësia e autobusit në Bullgari

23.11.2023 15:05

U mbushën dy vite nga tragjedia me autobusin e "Besa Trans" në Bullgari...

U mbushën dy vite nga tragjedia me autobusin e "Besa Trans" në Bullgari, ku humbën jetën 45 udhëtarë nga RMV-ja dhe 7 të tjerë me lëndime i shpëtuan fatkeqësisë. Përderisa hetimi në Bullgari ka konstatuar se shkas për aksidentin tragjik ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë së autobusit, në Gjykatën Penale në vend po zhvillohet procedurë gjyqësore sa i përket dokumentacionit për transport ndërkombëtar të kompanisë. Prokuroria Publike akuzon për falsifikim të certifikatës së licencës ku thuhet se autobusi i aksidentuar brenda vitit 2021, 20 herë ka kaluar kufirin pa certifikatë të licencës ndërkombëtare. Pronari i kompanisë "Besa Trans", Bekim Haxhiu, para trupit gjykues kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor. Sipas avokatëve të familjarëve të viktimave në Bullgari,për tragjedinë e ndodhur në autostradën Struma, faji duhet të kërkohet edhe në ndërtimin e keq të infrastrukturës rrugore të autostradës, mungesën e sinjalizimit dhe vendosjen joadekuate të rrethojave mbrojtëse. 
 
“Kjo e ka sjellë shoferin në huti dhe ai nuk e ka ditur se ku saktësisht ndodhej. Prandaj, mendoj se rrethoja mbrojtëse të cilën e ka goditur për herë të parë është nga ana tij e majtë. Për momentin, hetimi në Bullgari refuzon të ballafaqohet me këto konstatime tona.”, - theksoi avokati, Nikollaj Dimitrov.
 
“Tani më kemi kërkuar mendim nga shteti, gjegjësisht nga agjencia e saj që është përgjegjëse për infrastrukturën rrugore. Këto vepra janë në procedura dhe presim të caktohet data.”, - u shpreh avokati, Gjorgji Ratkov.
 
Sipas hetimit bullgar, shoferi ka humbur kontrollin mbi autobusin dhe në momentin e fatkeqësisë ka vozitur 108 kilometra në orë, ndërsa shpejtësia e lejuar ka qenë 90 km në orë dhe ka pasur 1,8 sekonda kohë të reagojë dhe mos ta godasë rrethojën mbrojtëse. Pas fatkeqësisë, organet kompetente në RMV ia morën licencën agjencisë "Besa Trans". Seanca gjyqësore në Gjykatën Penale në RMV sa i përket falsifikimit të dokumentacionit është në fazën e dëshmive. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 1 dhjetor.
 
FLORIJE KAMBERI