Maqedoni

Këshilli i Prokurorëve Publik shkarkoi prokuroren, Villma Ruskovska

23.11.2023 15:26

Ish-kryetarja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskovska...

Ish-kryetarja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskovska, është shkarkuar nga pozita e prokurores. Për këtë vendim u dakorduan njëzëri anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik. Arsyeja ka qenë shkelje e rëndë disiplinore. Propozues i procedurës disiplinore është prokurori publik, Lubomir Jovevski,  i cili ka konsideruar se është shkelur ligji gjatë kontrollit në Policinë financiare te drejtori i atëhershëm, Arafat Muharremi. 
 
“Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik sollën vendim njëzëri të refuzohet si e pabazë ankesa e parashtruar nga prokurorja publike, Villma Ruskovska, kundër vendimit të komisionit për vërtetimin e përgjegjësisë disiplinore për prokuror publik, gjatë kryerjes së funksionit të Prokurorit publik dhe po ashtu nga ana e anëtarëve të këshillit, propozimi i Komisionit për shkarkim të prokurorit publik u pranua njëzëri dhe shkarkimi u bë, për shkak të shkeljes së rëndë disiplinore.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik, Dushica Dimitrievska.
 
Ruskovka: Nuk do të ankohem, po pensionohem
 
Por, Ruskovska ka pritur një vendim të tillë dhe do të kërkojë pensionim. 
 
“Unë kam pritur një vendim të tillë, me vet faktin që kur Komisioni disiplinor nuk e pranoi si dëshmitar profesorin, Kallajxhiev. Prisja ata të parashtrojnë propozim për shkarkimin tim dhe prisja që Këshilli të vërtetojë këtë vendim. Tani do të parashtroj dokumente për pensionim.”, - theksoi ish-prokurorja për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskovska. 
 
Për lëndën e njëjtë Këshilli e refuzoi ankesën e prokurores, Ivana Trajçeva, por e miratoi propozimin e komisionit dhe shqiptoi masë për uljen e pagës për 30 për qind për gjashtë muajt e ardhshëm. 
 
FLUTURA LATIFI