Maqedoni
Fëmijët shqiptarë të Idrizovës, Shaqiri: Në janar do të ndjekin mësimin në “Njegosh”
23.11.2023 15:51
Fëmijët shqiptarë të Idrizovës, gjysmëvjetorin e dytë të vazhdojnë mësimin në shkollën fillore “Njegosh”...

Fëmijët shqiptarë të Idrizovës, gjysmëvjetorin e dytë të vazhdojnë mësimin në shkollën fillore “Njegosh”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili u shpreh se mbetet stoik në premtimin e tij. Për realizimin e kësaj, ai tha se do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat e mundshëm.
“Të gjithë mekanizmat dhe të gjithë mundësitë e mia ligjore si ministër do të jetë të bëjë maksimumin që të jetë ai qëndrim, sepse nuk shoh asnjë arsye të qëndrueshme për të mos jetë ajo që them.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Shaqiri njoftoi se para dy ditësh në ministri ka ardhur një letër nga komuna e Gazi Babës për komunikimin që ka pasur me shkollën rreth hapjes së paraleles shqipe dhe ministria do të kthejë përgjigje pozitive. Ai apeloi edhe njëherë udhëheqësisë së shkollës dhe komunës së Gazi Babës, që të mundësojnë hapjen e paraleles shqipe në këtë shkollë.
“Në qoftë se ka kërkesë nga ana e komunës dhe ka një mendim pozitiv nga ana e ministrisë, atëherë të dimë të gjithë, sepse kjo është e drejta e dikujt kushtetuese. Dje kishim ditën e alfabetit, të gjithë urimet i bënë të gjitha subjektet politike, pa dallim të përkatësisë etnike dhe menjëherë pas ditës së alfabetit ose një javë, dhjetë ditë, dikujt i pengon mësimi në gjuhën shqipe. Për atë arsye ky është apeli im dhe do të jetë që pas këtyre komunikimeve dhe shkresave pres që komuna bashkë me udhëheqësinë të mos e shfrytëzojnë këtë për situatë të inateve apo bindjeve politike të dikujt.”, - theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Përndryshe, më parë ministri Shaqiri në takim me këshillin e prindërve shqiptar të shkollës së Njegoshit u dakorduan që fëmijët shqiptarë të kësaj shkolle të mësojnë në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” të komunës së Çairit deri në fund të gjysmëvjetorit të parë, kurse nga gjysmëvjetori i dytë t’u mundësohet mësimi në shkollën “Njegosh” në gjuhën e tyre amtare.
BELINDA KOKA ADEMI
