Botë

Izraeli: Procesi i shkëmbimit të pengjeve me Hamasin nuk do të fillojë para të premtes, bombardimet vazhdojnë

23.11.2023 16:16

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan vendbanimet civile në shumë zona të Rripit të Gazës gjatë gjithë natës...

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan vendbanimet civile në shumë zona të Rripit të Gazës gjatë gjithë natës, nga Bait Lahia në veri deri në qytetin Rafah, që ndodhet në kufirin me Egjiptin në jug. Dhjetëra civilë janë vrarë dhe shumë të tjerë kanë mbetur nën rrënoja. Numri i lartë i vrasjeve ka bërë të detyrueshme hapjen e varrezave masive. Në mesin e viktimave janë mbi 50 gazetarë.
 
"Ne u bëjmë thirrje qeverive ndërkombëtare të mbështesin thirrjen tonë për një Konventë të Kombeve të Bashkuara për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Gazetarëve. Nuk do të ketë mosndëshkim për vrasjen e gazetarëve. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Izraelit të respektojë konventën 2222 të OKB-së që kujton mbrojtjen e civilëve në konfliktet e armatosura, duke përfshirë gazetarët. Dhe ne i bëjmë thirrje Qeverisë të garantojë median, sigurinë e ujit, të drejtë së lirisë së shprehjes, si dhe e të drejtës publike për të ditur.", - deklaroi Antoni Bellanger nga Federata Ndërkombëtare e gazetarëve.
 
Ndërkohë, Izraeli njoftoi se procesi për shkëmbimin e pengjeve, i cili ka krijuar pritshmërinë që të zbatohej pjesë e pauzës humanitare në konfliktet me Hamasin, nuk do të fillojë para të premtes. Protestuesit në të gjithë botën kërkojnë lirimin e pengjeve dhe paqe në Lindjen e Mesme.
 
"Shpresojmë! Ka shumë fëmijë që i morën nëntë vjet më parë dhe kështu shpresojmë që këta fëmijë që janë nëntë, dhjetë vjet të burgosur, të lirohen!", - tha një protestues.
 
"Ne jemi shumë të lumtur që ata do të ndalojnë së sulmuari njerëzit e pafajshëm në Gaza dhe gjetkë në Bregun Perëndimor.", - u shpreh Abraham Abdallh.
 
"Në procesin e asaj që ata bënë, ata nuk sulmuan Hamasin, ata sulmuan të gjithë civilët palestinezë, fëmijët, gratë, pleqtë. Mizoritë që ata i kryen janë krejtësisht të papranueshme. Ata shkatërruan 60 për qind të të gjitha shtëpive tona në Gaza.", - theksoi Mustafa Barghuti.
 
“Unë kam shumë miq në Rripin e Gazës, të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre. Jam shumë i trishtuar për këtë. Shpresoj që Gaza dhe ne të gjithë do të jemi të lirë.", - u shpreh një protestues.
 
“Ne duam që ky pushtim të marrë fund. Ne duam të jetojmë të lirë, fëmijët tanë të rriten në liri, duam të bëjmë një jetë normale si gjithë të tjerët në botë dhe të mos jemi nën okupim.”, - theksoi Hala Abo Gharbea.
 
Nga bombardimet izraelite prej më 7 tetor janë vrarë mbi 14,000 palestinezë, ndërsa nga pala izraelite jetën e  kanë humbur rreth 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU