Maqedoni

Kriza në vend, Besimi: PE kërkon përgjegjësi për keqpërdoruesit

18.03.2015 18:13

Evropa ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni, është e gatshme të ndihmojë, por është e qartë në kërkesën e saj për përgjegjësi nga zyrtarët për keqpërdorimet që kanë bërë...

Këto janë mesazhet që zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, ka marrë nga Parlamenti Evropian në takimin me sekretarin gjeneral, Alen Leroa, dhe takimet e tjera të realizuara gjatë ditës së djeshme në Parlamentin Evropian. 
 
“Mesazhet ishin të qarta prej këtu. Kërkohet që institucionet dhe personalitetet e involvuar të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë, ose kanë pasur keqpërdorime. E dyta është që dialogu politik është shumë i rëndësishëm dhe duhet të rivendoset, dhe është urgjent. Dhe e treta është që procesi juridik të ndodh në kuadër të institucioneve me kredibilitet, duke ruajtur parimet e sundimit të ligjit, gjyqësor i pavarur dhe procedurë transparente”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
 
Që procedimi i rasteve në gjykata dhe në hetuesi të jetë transparent, korrekt dhe i paanshëm, BE është e gatshëm të japë ekspertizë.    
 
Ndërkaq, tejkalimi i krizës politike vlerësohet si emergjencë kombëtare që duhet tejkaluar sa më shpejtë që të jetë e mundur. Për tejkalimin e krizës politike PE ka ofruar ndihmën e saj.
 
“Sa i përket procesit politik, BE ka ofruar tashmë një mundësi dhe ajo është bashkëpunimi me grupin e parlamentarëve evropianë, treshja e cila duhet të ndihmojë dialogun dhe Maqedonia duhet të përgjigjet pozitivisht në këtë”- tha Besimi.
 
Kriza politike në Maqedoni u thellua edhe më shumë pas skandalit me përgjimet në masë dhe publikimit të materialeve komprometuese për zyrtarët e lartë qeveritarë, ku kryesisht flitet për keqpërdorime zgjedhore, keqpërdorime financiare dhe keqpërdorim të aparatit shtetëror për interesa partiake.
 
SHPËTIM NUREDINI