Duka për “Tuttomercatoweb”: Duam të shkojmë përtej grupit
23.11.2023 16:51
Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E...

Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E ka bërë jehonë kudo në botë sidomos në Itali, duke parë edhe numrin e lartë të futbollistëve me origjinë shqiptare që aktivizohen në klubet italiane. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttomercatoweb” ku ka folur për arritjet e Shqipërisë në edicionin kualifikues që u kurorëzua me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tregoi se si nisi gjithçka, që nga zgjedhja e trajnerit Silvinjo në krye të ekipit Kombëtar. Presidenti Duka vlerësoi edhe lojtarët shqiptarë që aktivizohen në klubet Italiane, ndërsa shtoi se nuk dëshiron që Shqipëria të përballet në grup me Italinë.
“Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe pse nuk kanë arritur rezultate të mira kohët e fundit.”, ka thënë Duka.
