Maqedoni

Formimi i qeverisë teknike, LSDM: Detajet do të dakordohen në Kuvend

24.11.2023 15:26

Dilemat për formimin e qeverisë teknike kanë trazuar ujërat midis partive politike në vend....

Dilemat për formimin e qeverisë teknike kanë trazuar ujërat midis partive politike në vend. Pas kërkesave të VMRO-DPMNE-së, që mos të ketë qeveri 100-ditëshe me kryeministër shqiptarë, nga LSDM-ja thonë se formimi i qeverisë teknike dhe të gjitha detajet e zgjedhjeve do të finalizohen në Kuvend në grupet e punës.
 
“Janë formuar grupet e punës të cilat periudhën që vijon në mënyrë intensive do të bisedojnë për të gjitha proceset që nevojiten për zhvillim normal të procesit zgjedhor. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, dje paralajmëroi mbajtjen e shumë shpejt të një takimi në Kuvend me të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarët e tyre. Andaj mendoj se të gjitha detajet do të dakordohen periudhën që vjen.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Lidija Taseva. 
 
VMRO-ja kundër qeverisjes me kryeministër shqiptar
 
VMRO – DPMNE-ja mbetet në qëndrimin kundër qeverisë teknike, duke mos i lënë kështu BDI-së që të përmbush premtimin për kryeministrin shqiptarë. Ata kërkojnë nga LSDM-ja që të analizojnë propozimin dhe të prononcohen.
 
“VMRO – DPMNE-ja është gatshme që të heqë dorë nga qeveria teknike vetëm BDI-ja e kriminalizuar të mos ketë kryeministër teknik. BDI-ja për disa muaj është në qendër të të gjitha skandaleve kriminale që po tundin Maqedoninë. Parti me kuadër të kriminalizuar nuk mund që të japë kryeministrin teknik të shtetit.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Mile Lefkov. 
 
VMRO – DPMNE-ja heqjen e qeverisë teknike e ka parashtruar në Kuvend që nga 24 janari bashkërisht me kërkesën për zgjedhjet të parakohshme. Propozimi u refuzua nga koalicioni qeverisës BDI – LSDM me arsyetimin se ndryshimet e tilla merren pa u shpejtuar, me bisedime dhe konsensus të të gjitha partive politike dhe jo me propozim të një partie. Opozita shqiptare konsideron se për këtë çështje do të diskutohet në takimin e tre liderëve opozitarë për të dakorduar qëndrimin. Zgjedhja e qeverisë teknike u instalua që nga viti 2016 me Marrëveshjen e Përzhinës, kur Maqedonia ndodhej në një periudhë krize politike. Kryeministrin teknik e propozon pushteti. Ndërkaq partia më e madhe në opozitë propozon ministrin e Brendshëm dhe të Punës dhe Politikës Sociale.GAZETARE: 
 
MERAL ISMAILI