Panel diskutimi për parandalimin e dhunës në bazë gjinore, “Përfshihu, parandalo, përgjigju dhe sistemo”

24.11.2023 16:00

Bashkëpunimi ndërinstitucional...

Bashkëpunimi ndërinstitucional, korniza ligjore dhe masat për të parandaluar dhunën në bazë gjinore ishte fokusi i panel diskutimit “Përfshihu, parandalo, përgjigju dhe sistemo”, me rastin e shënimit të fushatës ndërkombëtare “16 ditë aktivizim kundër dhunës në bazë gjinore ndaj grave”.

Spasovski: Parandalimi i dhunës, prioritet i institucioneve kompetente

Ministri Spasovski theksoi se policia vepron në bazë të çdo denoncimi për dhunë në bazë gjinore dhe parandalimi i saj është prioritet kryesor i institucioneve kompetente ku në këtë drejtim po zhvillohen edhe trajnime.

“Sipas programit për trajnimin bazë për punonjësit policorë, parashikohet detyrë mësimore se si duhet të veprohet në raste të dhunës në familje dhe sigurimi i shërbimeve sensitive gjinore për personat që kanë pësuar dhunë në familje. Për realizimin e këtij trajnimi, në këtë temë janë trajnuar ligjërues nga të gjitha departamentet e MPB-së, të cilët kanë për detyrë të realizojnë trajnimin në sektorët e tyre.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se me ndryshimet e reja në Kodin Penal definohen saktë dispozitat ligjore për dhunën në bazë gjinore dhe dhunën në familje.

“Ministria e Drejtësisë në shkurt të vitit 2023, gjatë harmonizimit të dispozitave të caktuara ligjore me Konventën e Stambollit, ndryshoi dhe plotësoi Kodin Penal, ku i definon në mënyrë më adekuate dhe më të mirë të gjitha ato dispozita dhe masa, të cilat mund të ndërmerren nga organet profesionale, si Prokuroria dhe Gjykata për mbrojtje nga dhuna në bazë gjinore dhe ajo familjare.”. 

Ngjarja u organizua nën përkujdesjen e bashkëshortes së presidentit të shtetit dhe nga Unioni-Këshilli Nacional për Barazi Gjinore dhe u realizua me prezencën e përfaqësuesve të institucioneve kompetente, organizatave ndërkombëtare dhe nacionale në kuadër të temës globale për vitin 2023, “Të bashkuar! Të investojmë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”. (Leunora Kaliqi, TVM2)