Maqedoni

Komisioni Anketues i Onkologjisë, Mizrahi: Ka dështuar sistemi shëndetësor

24.11.2023 16:16

Nga Komisioni Anketues për ndodhitë në Klinikën Universitare të Onkologjisë...

Nga Komisioni Anketues për ndodhitë në Klinikën Universitare të Onkologjisë u prezantuan të dhënat e sistemit për mbrojtje shëndetësore nga viti 2019 deri më 2022. Në këtë periudhë kohore nuk ka komunikim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për sigurim shëndetësor, Agjencisë për ilaçe,  Qeverisë dhe Entit për revizion shtetëror. Terapitë e dhëna nuk janë dorëzuar deri te ministria, aparatet e prishura nuk janë paraqitur, nuk ka funksionuar sistemi KETO dhe ka pasur furnizime jotransparente me ilaçe. Inspektorati sanitar nuk ka kryer kontroll, ndërsa Enti për revizion nuk ka ndjekur zbatimin e vërejtjeve te institucionet shëndetësore. Sipas kryetares së Komisionit Anketues, Mizrahi,  e gjithë koj ka ndikuar në dështimin  e sistemit për mbrojtje shëndetësore. 
 
“Në komunikimin mes Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë kemi shkelje të nenit 41, sepse mbikëqyrjen e punës së ministrisë e bën Qeveria. Unë do të përmend se edhe pse disa herë kemi dërguar dërgesa deri te Qeveria për të na dorëzuar material ose dokumentacion që ka të bëjë me punën e Klinikës Universitare të Onkologjisë, kisha bisedë joformale me sekretarin gjeneral të Qeverisë që tha se kjo materie do të dorëzohet deri te Komisioni Anketues, por ajo asnjëherë nuk arriti.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.
 
Kostiq: Përgjegjësia duhet të jetë individuale
 
Mbi 80 mijë pacientë janë të sëmurë nga kanceri dhe numri i tyre rritet. Për këtë shkak nevojiten ndryshime në ligjin për mbrojtje shëndetësore, vlerësojnë nga LSDM-ja. 
 
“Për çdo lloj keqpërdorimi duhet të ketë emër dhe mbiemër të atyre që ndoshta e kanë keqpërdorur pozitën e tyre, sepse njerëzit që nuk janë shëruar në mënyrë adekuate gjatë 15 apo 20 viteve të kaluara dhe është dashur të shërohen, nuk mund t’ua paguajmë dëmin që u është shkaktuar, pa marrë parasysh a kemi të bëjmë me mosdhënie apo mosfurnizim me  ilaçe.”, - u shpreh anëtari i Komisionit Anketues, Nenad Kostiq. 
 
Nga Komisioni Anketues kërkuan të dëshmohet në mënyrë individuale me emër dhe mbiemër se kush është përgjegjës për ndodhitë në Klinikën e Onkologjisë. Deri më 3 dhjetor, Komisioni Anketues ka afat për të përcaktuar përgjegjësinë politike për ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë.
 
FLUTURA LATIFI