Maqedoni
Ardhja e Llavrovit në Shkup, Qeveria me vendim: Ministritë kompetente të vendosin vetë
24.11.2023 16:33
Ministritë kompetente do të vendosin nëse kryediplomati rus, Sergej Llavrov...

Ministritë kompetente do të vendosin nëse kryediplomati rus, Sergej Llavrov, do të marrë pjesë në samitin e 30-të ministror të OSBE-së në Shkup. Informacioni përcillet nga Ministria e Jashtme përmes një komunikate, ndërkaq vendimi është marrë në seancën qeveritare. Sipas vendimit qeveritar, plotësimi i vendimit për vendosjen e masave kufizuese me aktivitetet e federatës ruse, është bërë në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat e saja, ku parashihen përjashtimet.
“Përmes këtij plotësimi, Qeveria u dha autorizim ministrive kompetente që vetë të mund të vendosin për dhënien e lejes për fluturimin dhe aterimin e avionit rus gjatë mbajtjes së takimit ministror të tridhjetë të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor të vitit 2023. Plotësimi është në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJ-ja.
Ndërkohë, nga ministritë kompetente pa përgjigje definitive nëse ministri rus, Llavrov, do të jetë prezent në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim, samit në të cilin do të vendoset e ardhmja e OSBE-së, e që sipas mënyrës së vendimmarrjes, duhet të prezantojë të gjitha 57 vendet anëtare.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
