Botë
Kurti: Nënshkrimi i marrëveshjes, i domosdoshëm
24.11.2023 17:17
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston për nënshkrimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë në Bruksel dhe Ohër....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston për nënshkrimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë në Bruksel dhe Ohër. Brenda 9 muajsh nga nënshkrimi i marrëveshjes bazike, Serbia i ka shkelur së paku 8 nga 11 nenet e marrëveshjes, ka theksuar Kurti.
“Në kushte kur kemi këso shkelje, ne konsiderojmë aq më tepër që nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse nënshkrimi është ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti: Propozuesi ta publikojë draftin e Asociacionit
Kryeministri Kurti, njëherit thekson se ka paraqitur vërejtjet e tij për draftin e Asociacionit të propozuar nga ndërmjetësit në dialog, por do t’i bëjë publike pasi propozuesi ta bëjë publik draftin.
“I përket ndërmjetësit, i përket facilituesit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja që unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që akterë të ndryshëm mezi presin që unë të bëj shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e RKS-së.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Duke refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes, Serbia dëshmon se nuk është e interesuar fare për Asociacionin për serbët e Kosovës, por është e interesuar për Asociacionin kundër Kosovës. Kurti njëherit theksoi se nuk do të tolerohet diçka e ngjashme me sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të veriut të Kosovës. Ai njëherit kërkoi sanksionimin e Serbisë.
GYLTENE SINANI
