Kulturë
SHAAF “Draodacum” filloi aktivitetet për këtë vit
18.03.2015 18:38
Shoqata e Artistëve të Artit Figurativ, “Draodacum”, nga Gostvari, aktivitetet për këtë vit i filloi mbrëmë me ekspozitën personale të dy artistëve gostivaras...

Shoqata e Artistëve të Artit Figurativ, “Draodacum”, nga Gostvari, aktivitetet për këtë vit i filloi mbrëmë me ekspozitën personale të dy artistëve gostivaras, Xhezair Rexhepi dhe Arjan Rufati, e cila u mbajt mbrëmë në Galerinë e Artit të Qendrës për Kulturë.
Në këtë ekspozitë, e cila zgjoi një interesim të madh tek artdashësit e shumtë, Xhezair Rexhepi u shfaq me 20 skulptura, ndërsa Arjan Rufati me 19 punime të dizajnit grafik, kopertina librash dhe postera.
Punimet e tyre u vlerësuan lartë nga kryetari i Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ, “Draodacum”, Reshat Ahmeti, i cili potencoi se ekspozita e Xhezair Rexhepit dhe Arjan Rufatit shënon edhe fillimin e aktiviteteve të shoqatës për këtë vit, duke paralajmëruar edhe shumë aktivitete të tjera brenda vitit.
“Siç mund të shihni, veprat e tyre janë kreative dhe mbi gjitha e kanë vulën personale”- u shpreh Ahmeti.
“Në këtë ekspozitë janë prezantuar gjithsej 20 punime, skulptura të teknikës poliester. Në skulptura janë aplikuar materiale të ndryshme, si fasha dhe metali, si dhe materiale të tjera ndihmëse që ia rrisin vlerën skulpturës”- deklaroi skulptori, Xhezair Rexhepi.
“Prezantohem me 10 pllakate për teatro, si dhe 9 kopertina libri, dizajne këto që janë aplikuar për teatro dhe libra të botuar”- u shpreh dizajneri, Arjan Rufati.
Vlerësim për krijimtarinë e tyre erdhi edhe nga profesori i artit figurativ, Xhelil Rufati, i cili me këtë rast tha se Rufati dhe Xhelili janë artistë me perspektivë dhe që premtojnë shumë në karrierën e tyre.
Nga drejtori i Qendrës për Kulturë të Gostivarit u paralajmëruan një numër i madh i ekspozitave për këtë vit, të cilin e paralajmëroi si vit tepër të begatë.
LULZIM HAZIRI
