Maqedoni

Kërçovë, administrata komunale bëhet me objekt të ri

25.11.2023 15:25

Administrata e komunës së Kërçovës së shpejti do të bartet në lokalet e reja...

Administrata e komunës së Kërçovës së shpejti do të bartet në lokalet e reja të objektit të rinovuar që dikur ishte pronë e komandës ushtarake të Kërçovës. Kryetari Fatmir Dehari bën të ditur se punët ndërtimore të rinovimit do të finalizohen brenda dy muajve të ardhshëm dhe nga viti i ri administrata komunale e Kërçovës do të transferohet në lokalet e reja, të cilat do ta rrisin efikasitetin e punës dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. 
 
Administrata e komunës së Kërçovës ballafaqohet me kushte tejet të vështira të funksionimit, sepse objekti i vjetër i komunës, i ndërtuar qysh në kohën e sistemit monist, nuk ka ambiente të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e funksionimit normal të sektorëve përkatës të administratës komunale. Por, këto vështirësi do të tejkalohen me rinovimin e objektit të komandës ushtarake jugosllave, ku brenda dy muajve pritet të transferohet administrata e komunës së Kërçovës. 
 
Punët e rinovimit do të finalizohen së shpejti, dhe në muajin e parë të vitit që vjen administrata komunale e Kërçovës do të bartet në lokalet e reja, ku do të krijohen kushte maksimale për funksionim profesional të  administratës, të cilat pa dyshim do ta rrisin efikasitetin e punës dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, thotë kreu i Kërçovës Fatmir Dehari.  
 
Për shkak të mungesës së hapësirave të punës në objektin e vjetëruar të komunës, i ndërtuar në vitet e 50-ta, sektori i arsimit dhe ai i inspektoratit komunal, tash e sa vite kanë qenë të dislokuar në objekte të tjera. 
 
SHABAN DALIPI