Maqedoni

Kumanova e përgatitur për reshjet e borës

25.11.2023 15:47

Pas paralajmërimeve, autoritetet komunale të Kumanovës njohtuan se Komuna është e gatshme...

Pas paralajmërimeve, autoritetet komunale të Kumanovës njohtuan se Komuna është e gatshme për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve nga reshjet eventuale të borës. Për dallim nga vitet e kaluara nga sezoni i sivjetëm dimëror për mirëmbajtjen e rrugëve do të kujdeset NP ”Pastrim dhe Gjelbërim”.
 
Këtë e bëri të ditur drejtori i kësaj ndërmarrje Daniell Stojçevski, i cili ka njohtuar se qyteti është i ndarë në dy zona për pastrim më efikas të borës edhe atë për zonën qëndrore do të kujdeset NP ”Pastrim dhe Gjelbërim” kurse për pjesën periferike të qytetit do të përkujdeset kompania e përzgjedhur në tender.
 
“Kemi mekanizëm të mjaftueshëm të cilën komuna e ka siguruar përmes kredisë nga Banka Botërore. Disponojmë me paisje bashkëkohore, e cila ka kapacitet për ti pastruar rrugët. Gjithashtu do të pastrohen edhe trotuaret dhe sheshet, kurse kemi edhe mjete për shkrirjen e akullit. NP “Pastrim dhe Gjelbërim” do të angazhohet në mirëmbajtjen e rajonit qëndrorë, bulevardeve dhe rrugëve kryesore kurse paralagjet e qytetit dhe fshatrat do t’i mirëmbajë kompania “Koop Ingenering” nga Kumanova e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, për cka nga buxheti i komunës janë ndarë 4.8 milion denarë. Gjithashtu janë siguruar edhe 120 tonë kripë për mirëmbajtjen e rrugëve”, theksoi Stojçevski.
 
Vlen të theksohet se NP ”Pastrim dhe Gjelbërim” i janë ndarë 8 milionë denarë, nga të cilat 5 milionë denarë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit, kurse 3 milionë denarë për programin vjetorë për pastrimin e trotuareve dhe shesheve.      
 
FATLUM AQIFI