Maqedoni

Këshilli ministror i OSBE-së në Shkup, finalizohen parapërgaditjet, konfirmohet prania e Blinken, por jo e Lavrovit

25.11.2023 17:15

Prania e sekretarit amerikan të shtetit Antoni Blinken në Këshillin Ministror...

Prania e sekretarit amerikan të shtetit Antoni Blinken në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup u konfirmua, por kjo nuk ndodhi edhe me kreun e diplomacisë ruse Sergej Lavrov. Blinken javën e ardhshme do të marrë pjesë në darkën joformale të organizuar nga kryesuesi i OSBE –së Bujar Osmani, i cili nuk konfirmoi nëse ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas do të ulen në të njëjtën tavolinë, pasi siç thotë ai, agjendat e shefave të diplomacive  janë të ndryshme.
 
Ministrja Petrovska votoi e  përmbajtur vendimin e Qeverisë për heqjen e ndalesës për uljen e avionit të Lavrovit. Osmani pohon se do të ishte në të njëjtën linjë me kolegen e tij të mbrojtjes, nëse kishim të bëjmë me takim bilateral me Lavrovin.
 
“Sa i pëket kapacitetit nacional edhe unë do të isha kundër si Ministër i Punëve të jashtme, por në këtë rast Ministri rus i punëve të jashtme nuk vjen në takim bilateral, nuk vejn në RMV, vjen në vendin nikoqir të OSBE-së. Në një organizatë ku ato janë vende anëtare nëse vjen sërisht dhe për këtë shkak sa i përket kapacitetit kombëtar ndajmë qëndrim të njejtë me Ministreshën, por unë kam pozitë tjetër unë jam kryesues i OSBE-SË dhe për këtë qëllim kam qëndrim më ndryshe”, u shpreh kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani. 
 
E ardhmja e OSBE-së është në këmbë të brishta pasi Rusia dhe Bjellorusia vendosën veton ndaj një propozimit që Estonia të kryesojë organizatën në vitin 2024. Për Osmanin dita e hënë do të jetë dita D, kur do të tentohet të arrihet një marrëveshje e re për këtë çështje.
 
“Nëse nuk ka vendim, atëherë është e thjeshtë ne duhet të tregohemi se jemi të përgjegjshëm. Nuk mundemi ta lëmë organizatën pa kryesues nuk do të mundet të funksionojë. Nevoitet konsensus dhe do të mundohemi gjatë atyre orëve të sigurojmë konsensus, po flasim për situate hipotetike. Nëse edhe atëherë nuk ka konsensus  atëherë hym në çështje të padefinuara në tërësi dhe unë thjesh do të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm të kërkoj kryesues”, theksoi Osmani. 
 
Më 28 nëntor në Shkup do të mbërrijnë 57 delegacione dhe krerë të diplomacive, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së, i cili do të zgjasë deri më 1 dhjetor dhe për herë të parë do të jetë nikoqire Maqedonia e Veriut.
 
Përveç të ardhmes së OSBE-së, në fokus të bisedimeve do të jetë konflikti në Lindjen e Mesme, agresioni rus kundër Ukrainës, shoqëria civile si dhe korrupsioni. 
 
FLUTURA LATIFI TOPOJANI