Ekonomi
Biznes-forum me afaristë turq, shprehet interesim për investime në Maqedoni
19.03.2015 14:39
Kompanitë turke janë shumë të interesuara për të investuar në vendin tonë...

Për të shqyrtuar mundësinë se ku dhe në cilin sektor të investojnë, si dhe të intensifikojnë bashkëpunimin në mes të të dyja vendeve, Oda Ekonomike e Maqedonisë organizoi biznes-forum me afaristë nga Turqia.
“Ne jemi duke e ndjekur nga afër Maqedoninë. Jemi të vetëdijshëm se ekonomia po zhvillohet, sidomos raportet e Maqedonisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Duke u bazuar në këto zhvillime, ne duam që të marrim pjesë në këtë ekonomi dhe duam të bëjmë punë të përbashkëta”- deklaroi kryetari i AIB Turqi, Barish Arat.
Biznes-sektori i Maqedonisë dhe Turqisë gjithashtu po shqyrton mundësinë për bashkëpunim në tregjet evropiane.
“Bazuar në investimet e biznesmenëve turq në Maqedoni në shërbimet e transportit, shërbimet financiare, në industrinë e tekstilit, ndërtimtarisë, tregtisë vlerësojmë se interesi për intensifikimin e bashkëpunimit është shumë i madh. Gjithashtu po shqyrtojmë mundësinë për bashkëpunim të ndërsjellë të kompanive të Maqedonisë dhe Turqisë në tregun evropian”- tha drejtoresha operative e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Elena Milevska-Shtrbevska.
Biznes-forumet e këtilla shërbejnë për vendosjen e kontakteve mes kompanive dhe afaristëve nga Maqedonia dhe Turqia, por edhe për të shkëmbyer përvojat e tyre profesionale.
ERSAN PAJAZITI
