Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, analistët: Me gjasë mbeten pas zgjedhjeve
26.11.2023 16:39
Ndryshimet kushtetuese të cilat realisht nuk do të mund të votohen deri në fund të vitit...

Ndryshimet kushtetuese të cilat realisht nuk do të mund të votohen deri në fund të vitit, mbeten t’i barten si sfidë qeverisë teknike apo përbërjes së re parlamentare pas zgjedhjeve, thotë për TVM2, profesori universitar, Mersel Bilalli.
Për mospërmbushjen e kushtit të dalë nga propozimi francez, njohësi i çështjeve akuzon opozitën maqedonase, që sipas tij, mbolli tek opinion bindje të paargumentuara për kinse humbjen e identitetit maqedonas, e si rrjedhojë po humbim në fakt shansin për hapjen e kapitujve me Unionin.
“Ekzistojnë qarqe të ndryshme, duke përfshirë edhe ato diplomatike të cilët mendojnë se edhe në një situatë të përgatitjes së një qeverie teknike, është e mundshme të bëhet një konsensus i përgjithshëm, që të tejkalohen ndryshimet kushtetuese. Supozojmë se ajo do të ndodhë pas zgjedhjeve, edhe pse edhe atëherë do të jetë vështirë të ofrohen argumente bindëse nëse një kohë të gjatë e keni ushqyer opinionin në atë drejtim. Por sidoqoftë, mendoj se presioni është shumë i fuqishëm ndaj VMRO-DPMNE-së me argumentet se çdo zvarritje vetëm e ushqen ndikimin rus dhe destabilizimin e rajonit me ç’rast VMRO-ja merr përgjegjësi të madhe. Mendoj se kjo do të duhet të mbahet në një konstrukt të ardhshëm parlamentar pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, u shpreh profesori universitar Mersel Bilalli.
Qytetarët e anketuar, me qëndrime të ndryshme lidhur me evropianizimin e vendit dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Fajin për ngecje në këtë proces ia adresojnë në masë të madhe politikëbërësve. Thonë se popullata në vend jeton sipas vlerave evropiane.
“Maqedonasit nuk mund ta kuptojnë atë, por duhet ta kuptojnë sepse nuk mundet të shkojnë 100 vjet gati e ato mos ta kuptojnë se vetëm ato të jenë në nivel, ndërsa shqiptari të jetë i nënçmuar”, theksoi qytetari.
“Kemi shumë punë për në Evropë. Ende nuk jemi në gjysmë, mirëpo shpresojmë një ditë të përmirësohemi dhe ta mbërrijmë vlerën dhe të bëhemi evropian”, u shpreh qytetari.
“E jona dhe e ardhmja e fëmijëve tanë është Evropa. Njëherë e përgjithmonë të ulen e të bisedojnë edhe ta kapin trenin për në Evropë se rinia dalë ngadalë u zhduk, si nga pjesa shqiptare si nga pjesa maqedonase, e duan Evropën këtu”, theksoi qytetari.
“Ushqejmë vlera evropiane, ushqejmë stile evropiane në shumë aspekte. Kemi ecur përpara dhe ka dallim e kaluara prej të tashmes, si komb, si shtet dhe në shumë sfera”, u shpreh qytetari.
“Mirë jemi. Pa marrë parasysh se çka është, kemi mirëkuptim dhe pajtueshmëri mes veti”, theksoi qytetari.
Derisa vendi po ballafaqohet me mënjanimin e pengesës për vazhdimin e procesit eurointegrues, statistikat dhe hulumtimet tregojnë rritjen e euroskepticizmit tek popullata, i cili shkon në rritje për çdo vit.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
