Botë
Hamasi liroi grupin e dytë të pengjeve, në këmbim të të burgosurve palestinezë, armëpushimi ende vijon
26.11.2023 17:13
Pas shtatë javësh, disa nga pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi janë me familjet e tyre...

Pas shtatë javësh, disa nga pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi janë me familjet e tyre. Fëmijët e liruar, nënat dhe gjyshet janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ekipet speciale kujdesen për shëndetin e tyre mendor dhe fizik.
“Tmerri i mbajtjes në robëri është vërtet i dukshëm, por asnjë nga pengjet nuk kërkoi ndërhyrje mjekësore. Fëmijët do të jenë këtu në spital. Ne do të vazhdojmë të kujdesemi për ta përkrahur mirqenien e tyre fizike dhe psiqike ”, u shpreh drejtori i spitalit të fëmijëve SHEBA, Itai Pesaç.
Edhe shtetasit e huaj të liruar nga Hamasi ndjehen mirë përderisa ambasadat po përkujdesen për ta.
“Pranuam 15 pengje, 14 nga Tajlanda dhe një filipinas. Janë në gjendje stabile dhe këtu ata marrin të gjithë kujdesin mjekësor. Ata nuk kanë familjet këtu. Pra, ne jemi në fakt familjet e tyre. Ne dhe ambasadat që janë këtu ndihmojmë me gjithçka, përfshirë përkthimet”, theksoi drejtori i Qendrës Mjekësore Shamir-Asaf Harofeh, Dr. Osnat Levtsion-Koraç.
Adoleshentët palestinezë, të liruar në fazën përfundimtare të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit, u mirëpritën në Bregun Perëndimor në sheshin kryesor të qytetit Al Bire.
“Të gjithë të burgosurit ndanin besimin se asnjë i burgosur nuk do të lihej pas prangave dhe ne besuam se edhe Palestina do të lirohej për shkak të përpjekjeve të rezistencës”, u shpreh adoleshentja.
“Na kanë marrë në orën shtatë të mëngjesit dhe rreth dhjetë na kanë thënë se ka marrëveshje dhe do të na lirojnë. Ishim shumë të befasuar, ishte një ndjenjë e mrekullueshme”, theksoi adoleshenti.
Autoritetet izraelite po monitorojnë nga afër operacionin. Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë theksuar se luftimet do të vazhdojnë edhe pas armëpushimit katër ditor, megjithëse Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti thonë se është e mundur të zgjatet armëpushimi për të liruar më shumë pengje.
“Kjo është një ngjarje komplekse. Çdo ditë si kjo është një operacion. Ne kemi një seli operative të inteligjencës me të cilën punon Mbrojtja e Izraelit së bashku me Shërbimin e Sigurisë së Përgjithshme dhe Mosadin. Ne merremi me këtë 24 orë në ditë, për të menaxhuar këtë shtab ”, u shpreh zëdhënësi i mbrojtjes izraelite Daniell Hagari.
Më 7 tetor, 240 persona u robëruan pas sulmeve të Hamasit në Izrael ndërsa edhe më tej nuk dihet gjendja e pengjeve.
FLUTURA LATIFI TOPOJANI
