Sportet E Tjera
Cook shënoi fitoren e parë në Kupën e Botës
19.03.2015 14:45
Dastin Kuk që ka 26 vjet, zuri vendin e parë me kohë të kaluar për 1:06.04 minuta...

Gara ishte shumë e fortë dhe më së miri e fakton edhe dallimi shumë i vogël mes vendit të parë dhe të tretë. Brice Roger zuri vendin e tretë, por me kohë më të dobët për tetë qindtat se i pari dhe tre se i dyti, kjo është dëshmia më e mirë se sa e fortë e dramatike ishte gara e fundit në këtë disiplinë për edicionin e sivjetshëm. Jansrud pas trofeut Globi i Vogël i Kristaltë në lëshim, tani përqafoi edhe atë të supersllallomit të madh që e kishte siguruar me 8 mars.
Kryesuesi i renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës, Marcel Hirscher, bëri rrëshqitje të mirë, por për një fije të flokut i ka ikur vendi i tretë, pasi ngeci për një qindtën larg Rogjerit dhe ishte më i shpejtë për dy qindtat se zvicerani Mauro Caviezel. Dy gara para përfundimit të sezonit, kampioni në fuqi i botës, Hirscher, kryeson me 1298 pikë ose ka 34 pikë më shumë se i dyti, Jansrud.
Një luftë e fortë se cili do të jetë kampion i ri i botës dhe aq më joshëse e bën dhe diferenca e vogël në pikë mes dy skiatorëve.
Deri në fund të këtij edicioni janë në program edhe dy gara: sllallomi i madh dhe sllallomi. Në këto dyja disiplina Hirscher është shumë më i mirë se Jansrud.
Në renditjen e përgjithshme, në vend të tretë është Alexis Pinturault i Francës (924), pastaj gjermani Felix Neureuther (816) e austriaku Hannes Reichelt (760). Në supersllallomin e madh, Jansrud është kampion me 556 pikë, pasojnë: italiani Dominik Paris (353), austriaku Matthias Mayer (274).
