Botë

Gaza, Hamasi kërkon zgjatjen e armëpushimit

27.11.2023 12:12

Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza ka vazhduar...

Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza ka vazhduar, përderisa Hamasi të dielën ka liruar edhe 17 pengje, përfshirë 14 izraelitë dhe një amerikan. 
Në këmbim, Izraeli ka liruar 39 të burgosur palestinezë. Në mesin e pengjeve që u lirua ishte Abigail Edan, një vajzë katërvjeçare me shtetësi izraelite dhe amerikane, prindërit e së cilës u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor, që nxitën luftën. Në përgjithësi janë nëntë fëmijë nga 17 vjeç dhe më të vegjël që janë në listën e pengjeve që pritet të lirohen, thotë zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Në mesin e pengjeve të liruara ishin edhe tre shtetas të tjerë tajlandez. Ndaras, Hamasi tha se ka liruar një peng rus “në përgjigje të përpjekjeve të presidentit rus, Vladimir Putin”. Të burgosurit e liruar palestinezë ishin fëmijë dhe djem të rinj të moshave 15 deri 19 vjeç, të cilët ishin akuzuar për prishje të rendit publik, dëmtim të pronave dhe disa akuza të tjera. Sot është dita e fundit e armëpushimit kur pritet të lirohet grupi i katërt i pengjeve izraelite, që në total duhet të arrijë në 50 dhe 150 të burgosur palestinezë.
 
Ndërmjetësit e armëpushimit ShBA-ja, Egjipti dhe Katari po tentojnë të zgjasin armëpushimin. Hamasi tha se po synon që të zgjasë marrëveshjen, duke synuar që të lirojë numër më të madh të pengjeve. Kryeministri izraelit, Netanjahu, ka ripërsëritur ofertën e tij për të zgjatur armëpushimin për një ditë më shumë për çdo dhjetë pengje që lirohen nga Hamasi. Por, ai tha se Izraeli do të riniste ofensivën “me gjithë forcën që ka” sapo të mbaronte armëpushimi.