Botë

Dita e fundit e armëpushimit në Gaza, Netanjahu vë kushte për zgjatjen e tij

27.11.2023 13:24

Në ditën e fundit të armëpushimit të vendosur mes Izraelit dhe grupit Hamas, përmes Kryqit të Kuq....

Në ditën e fundit të armëpushimit të vendosur mes Izraelit dhe grupit Hamas, përmes Kryqit të Kuq u dorëzuan 39 pengje palestineze dhe 14 pengje izraelite. Ndërkohë të zhvendosurit palestinez nga zona e luftës, gjatë ditëve të armëpushimit janë rikthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara për të parë se çka ka mbetur prej tyre dhe për të mbledhur disa sende.  
 
“Shiko Miriam, këtu është kukulla jote. Ne do ta heqim pluhurin më vonë.”, - tha një banore nga Gaza.
 
Por, familjet sonte do të kthehen në kampin e refugjatëve, sepse qëndrimi këtu nuk është një opsion.
 
“Pesë nga nipërit e mi, fëmijët e njërit prej djemve të mi, jetonin në këtë shtëpi. Kur shpërtheu lufta, ne të gjithë ikëm në Khan Jounis. Kjo nuk është një fitore, por një fatkeqësi për të gjithë kombin. 15,000 persona që vdiqën janë familja jonë. Të dashurit tanë, kushërinjtë, fqinjët tanë.”, - u shpreh Amna Ismail Shuaf.
 
Nga Agjencia për refugjatët e OKB-së, thonë se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza.
 
"Ne nuk kemi besim, sepse nuk ka pasur asnjë vend të sigurt deri më tani në Rripin e Gazës. Fillimisht njerëzve iu kërkua të lëviznin nga veriu në jug dhe ne kemi parë se shumë njerëz janë vrarë në jug. Pra, nuk ka pasur ende ndonjë vend të sigurt. Më shumë se 1 milion njerëz, më shumë se gjysma e njerëzve të zhvendosur në Rripin e Gazës janë strehuar në ambientet e OKB-së.", - deklaroi komisionari i përgjithshëm i OKB-së për refugjatët, Filipe Lazarini.
 
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, pas një bisede telefonike me presidentin Bajden, tha se ishte i gatshëm për zgjatjen e mundshme të pauzës humanitare katërditore në Rripin e Gazës me kushtin që deri në dhjetë pengje të lirohen çdo ditë.
 
"Tani kemi një mënyrë për të liruar dhjetë pengje të tjera çdo ditë. Kjo është një gjë e mrekullueshme. Por në të njëjtën kohë, i thashë edhe presidentit Xho Bajden se në fund të këtij plani, do të kthehemi me të gjitha forcat tona për të realizuar qëllimet tona: eliminimin e Hamasit, për të siguruar që Gaza të mos kthehet në atë që ishte dhe natyrisht lirimin e të gjithë pengjeve tona.”, - theksoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Nga bombardimet izraelite prej më 7 tetor janë vrarë mbi 15,000 palestinezë, ndërsa nga pala izraelite jetën e  kanë humbur rreth 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU