Maqedoni

Reshjet ndikuan në pastrimin e ajrit, Klinika e Pulmologjisë, e mbushur me pacientë

27.11.2023 14:33

Reshjet e shiut dhe borës kanë ndikuar pozitivisht në pastrimin e ajrit në mbarë vendin, posaçërisht në kryeqytet....

Reshjet e shiut dhe borës kanë ndikuar pozitivisht në pastrimin e ajrit në mbarë vendin, posaçërisht në kryeqytet. Zakonisht në këtë periudhë të vitit, stacionet matëse të cilësisë së ajrit tregojnë ndotje të madhe, siç ishte rasti para pak ditësh. Për pasojë, Klinika e Pulmologjisë është e mbushur me pacientë. Ajri toksik, i cili quhet edhe vrasësi i heshtur, merr mijëra jetë çdo ditë. Qytetarët ankohen për rrjedhje hundësh, frymëmarrje të vështirësuar, djegie të fytit, lotim të syve dhe kollitje. Pulmologët thonë se nuk ka ilaç për të pastruar mushkëritë nga toksinat, por mund të merren masa.
 
“Qytetarët të mos dalin nga shtëpitë e tyre nëse nuk e kanë të domosdoshme ose të dalin në periudhën kur ajri është më pak i ndotur. Të shmangen të gjitha aktivitetet fizike dhe ngjarjet sportive në natyrë, sepse me çdo aktivitet fizik marrim më shumë substanca kimike helmuese në organizmin tonë.”, - deklaroi Deska Dimitrievska nga Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë.
 
Qytetarët thonë se në orët e mbrëmjes më shumë e hetojnë erën e pakëndshme që depërton nëpër shtëpitë e tyre.
 
“Në orët e mbrëmjes ajri është më i ndotur, vjen erë e pakëndshme.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Kur dalim jashtë nuk ka ajër, unë jetoj në Kala, por ajri çdoherë është i ndotur.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Vetëm të ikim në male, tjetër zgjidhje nuk kemi.”, - theksoi një qytetar.
 
Ajri i ndotur është i dëmshëm dhe helmues për të gjithë, por më të ndjeshëm janë fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI