Maqedoni

Zhvillimi i barabartë rajonal, Qeveria ndau 13 milion euro për komunat

27.11.2023 14:54

Me qëllim të zhvillimit të barabartë rajonal, Qeveria ka ndarë 13 milion euro për 129 projekte në të gjitha 80 komunat....

Me qëllim të zhvillimit të barabartë rajonal, Qeveria ka ndarë 13 milion euro për 129 projekte në të gjitha 80 komunat. 
 
Në marrëveshjet për financim parashihen 29 projekte për rajonet planore dhe 100 projekte për komunat, të cilat u nënshkruan në Qeveri. Paratë do të destinohen për zhvillimin infrastrukturës rrugore lokale, ndërtimin e çerdheve, furnizim me pajisje urbane dhe përmirësim të kualitetit  të jetesës për qytetarët. Zëvendëskryeministri Bytyqi, i pyetur për atë se edhe përskaj aktiviteteve të ndërmarra gjatë viteve të kaluara nuk ka ulje të dallimeve mes rajoneve, tha se pabarazia është krijuar gjatë 30 viteve të kaluara, por sipas tij pozitive mbetet trendi  i rritjes së mjeteve që investohen viteve të fundit.
 
“Dallimi mes zhvillimit të rajoneve është pasojë e neglizhencës prej disa dekadave dhe kjo pabarazi nuk mund të adresohet në një, dy apo pesë vite. Ajo çfarë neve na bën optimist është se në 3 vitet e fundit shuma totale që investohet në rajonet më pak të zhvilluara çdo vit rritet dhe realisht kemi arritur që të sigurojmë 1% nga BPV-ja për rajonet më pak të zhvilluara. Por ajo që është vlerë e shtuar e gjitha politikave te zhvillimi i barabartë rajonal është se e kemi inkorporuar pothuajse në të gjitha programet e ndryshme  tek të cilat më parë nuk kanë qenë.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi për TVM2, thotë se ata po angazhohen për uljen e dallimeve mes rajoneve planore duke realokuar më tepër mjete në rajonet më pak të zhvilluara.
 
“Tri dekada është bërë një hendek i madh ndërmjet rajoneve dhe nuk mundet të sanohet për një periudhë kaq të shkurtër. Mirëpo ne si Qeveri dhe drejtori mundohemi që sadopak ta zbusim këtë disbalans ndërmjet rajoneve. Është e saktë se rajoni i Shkupit është më i zhvilluar, ndërsa më pak i zhvilluar është ai verilindor  dhe jo rastësisht edhe mjetet i realokojnë në bazë të atij zhvillimi dhe ka avancim në këtë drejtim.”, - deklaroi drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi.
 
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale shtoi se për këto projekte nuk do të mungojë transparenca, ku realizimi njëjtë sikurse harxhimi i mjeteve do të jenë nën vëzhgim të institucioneve kompetente.
 
GAZMEND KURTISHI