Moti në RMV, përsëri priten reshje të borës

27.11.2023 15:06

Ditëve të fundit vendi po përballet me temperatura të ulëta....

Ditëve të fundit vendi po përballet me temperatura të ulëta, të cilat u përcollën edhe me reshje të borës, sidomos në zonat malore, si Karadak, Sharr, apo Dibër, ku pati edhe bllokim të rrugëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Por çfarë moti na pret ditëve në vijim?

Sipas meteorologëve, temperatura më e ulët mëngjesin e së hënës ishte minus 11 gradë, ndërsa temperaturat maksimale gjatë ditës lëvizin prej   -1 deri në 7 gradë celsius. Sipas parashikimit të meteorologëve, sonte gjatë natës do të kemi përsëri masa ajrore të ftohta, të cilat do të sjellin reshje kalimtare të borës.

Edhe të martën dhe të mërkurën moti pritet të jetë i ftohtë dhe me reshje lokale të borës.

“Të martën dhe të mërkurën paradite pritet valë e re reshjesh të cilat në male dhe në pjesët më të larta do të sjellë përsëri reshje të borës, ndërsa në pjesët më të ulëta reshjet do të jenë me shi. Reshje më të mëdha do të kemi në pjesën perëndimore, ndërsa në zonat malore të pjesës veriperëndimore pritet rritje e shtresës së borës.”, - deklaroi Kostadinka Arsovska nga DPHM-ja.

Meteorologët paralajmërojnë rritje të temperaturave nga fundi i javës dhe gjatë vikendit. (Fitore Demolli, TVM2)