Sportet E Tjera

Trimëresha amerikane, 19 trofe në karrierën e saj

19.03.2015 14:51

Skiatorja amerikane, Lindsey Vonn, ashtu si i ka hije, bëri një paraqitje fantastike në garën e fundit për edicionin e sivjetshëm në supersllallomin e madh në ski...

Skiatorja amerikane, Lindsey Vonn, ashtu si i ka hije, bëri një paraqitje fantastike në garën e fundit për edicionin e sivjetshëm në supersllallomin e madh në ski, që u zhvillua në Meribel të Francës.
 
Trimëresha amerikane futet në histori, me 19 trofe të fituara në karrierën e saj dhe faktikisht regjistroi edhe fitoren e 67-të. Ajo tregoi shkathtësitë e saja në shteg, duke triumfuar në supersllallom të madh me kohët të kaluar për 1:07.70 minuta.
 
Vonn, pa dyshim se ishte dukshëm më e mirë, pati epërsinë për 49 qindtat nga vendi i dytë, austriakja Anna Fenninger, si dhe 80 qindtat se bukuroshja sllovene Tina Maze.
 
Vonn e përsosur në çdo aspekt dhe fitoi edhe një trofe të çmuar. Pas trofeut të Globit të Vogël të Kristaltë në lëshim, tani e rrëmbeu edhe në supersllallom të madh.
 
Një skiatore e shkëlqyer, deri më tani katër herë ka qenë fituese e Kupës së Botës, ka fituar shtatë herë Globin e Vogël të Kristaltë në lëshim, pese herë në supersllallom të madh dhe tri herë në superkombinim.
 
Kjo është fantastike për 30-vjeçaren, e cila ishte kthyer në muajin dhjetor të vitit 2014 pas atij lëndimit që e pati lënë një kohë të gjatë jashtë shtegut.
 
Dy gara para përfundimit të sezonit, Anna Fenninger ka 1453 pikë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës dhe 32 pikë më tepër se Maze, ndërsa në vend të tretë është Vonn me 1042, pason amerikania Mikaela Shiffrin (900).
 
Vonn është kampione e supersllallomit të madh me gjithsej 540 pikë, duke lënë pas Fenningerin me 512 pikë e Mazen (390). Fenninger e Maze vazhdojnë luftën e ashpër për titullin e botës.
 
Ato në dy garat e fundit në sllallom dhe sllallom të madh do të luftojnë secila do të jetë kampione e re e botës.