Takimi i Unionit për Mesdheun, Borell: Pa shtet palestinez, s’ka paqe për Izraelin
Në Forumin e tetë ministror të Unionit për Mesdheun...

Në Forumin e tetë ministror të Unionit për Mesdheun, përfaqësues nga 40 vende diskutuan konfliktin palestino-izraelit, si dhe mundësinë për të hedhur bazat për paqen e ardhshme.
Nga Barcelona, shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Borell, tha se pa një shtet palestinez nuk do të ketë paqe dhe siguri për Izraelin. Numëron edhe pasojat që mund të barten në kontinentin evropian. Izraeli si një ndër anëtarët themelues të Unionit, në këtë forum nuk ka dërguar përfaqësues shtetëror.
“Një territor pa shtet është territor që do të prodhojë kaos, dhunë, terrorizëm dhe migracion, për të cilën Evropa është e para që do ta paguajë çmimin. Janë mijëra kilometra, por pasojat do të na mbërrijnë. Kjo është arsyeja se pse ne evropianët duhet të jemi pjesë e kërkimit të zgjidhjes dhe angazhimit të madh. Rruga deri te paqja është ende larg, por s’është e pamundur. Jam i bindur se përtej tronditjeve dhe emocioneve, të dy popujt janë të përkushtuar drejt paqes.”, - theksoi diplomati i lartë i BE-së, Josep Borell.

Osmani: Duhet zgjidhje e qëndrueshme
Pjesëmarrës në forum ka qenë edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Për të, garancia e stabilitetit dhe paqes për Palestinën dhe Izraelin, mund të vijë vetëm nga një zgjidhje e qëndrueshme.
Sipas tij, në këto momente me rëndësi të madhe është sigurimi i ndihmave humanitare për banorët e Gazës duke respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe po ashtu edhe lirimi i menjëhershëm i pengjeve.
Në margjina të forumit, shefi i diplomacisë Osmani ka zhvilluar edhe takime dypalëshe me homologët e tij. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
