Maqedoni
Zgjedhjet e dyfishta, Xhaferi: Më 28 shkurt formohet qeveria teknike
27.11.2023 16:38
Në fund të janarit, kryeministri Kovaçevski do të zëvendësohet nga kryeministër teknik shqiptar...

Në fund të janarit, kryeministri Kovaçevski do të zëvendësohet nga kryeministër teknik shqiptar, ndërkaq një muaj më vonë do të shpallen zgjedhjet parlamentare. Deklarimet e tilla vijnë nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, pasi 8 maji përflitet si datë përfundimtare e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.
Xhaferi tha se këto janë afate ligjore që duhet respektuar, ndërkohë që u shpreh i hapur edhe për takimin e paralajmëruar nga kryeministri Kovaçevski në dhjetor në Kuvend për të dakorduar datën finale.
“8 maji do të ishte dita për të cilën do të mbaheshin zgjedhjet e përbashkëta të rregullta presidenciale dhe parlamentare. Afatet për shpallje janë fundi i shkurtit 27, 28 shkurt dhe afati për zgjedhje të qeverisë teknike, në atë rast për zgjedhje të përbashkëta do të jetë fundi i janarit, 27, 28 janar, që të jemi në suaza të afateve ligjore dhe kushtetuese. Jo më pak se 70 ditë dhe jo më tepër se 70 ditë nga shpallja deri te mbajtja e zgjedhjeve dhe në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës 100 ditë para ditës së zgjedhjeve parlamentare duhet të ketë qeveri teknike.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Xhaferi nuk konfirmon se ai mund të ishte kryeministri i qeverisë teknike, pasi për momentin nuk ka ftesë zyrtare.
Grubi: 8 maji, data përfundimtare, partitë kryesisht janë për zgjedhje të dyfishta
Ndërkohë që zëvendëskryeministri Artan Grubi, në një intervistë për TV24 ka thënë se javën që vjen në një takim liderësh në Kuvend do të finalizohet 8 maji si datë definitive për mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta.
“Kemi pasur bisedime të gjata në Qeveri dhe konsiderojmë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë si për qytetarët, por edhe për shtetin. Nuk është kërkesë e një partie apo partisë tjetër, por është kërkesë dhe pritje e qytetarëve, pasi që pamë se edhe qytetarët presin zgjedhje të përbashkëta, por mund edhe diçka të ndryshojë më 4 dhjetor kur do të mbahet takimi liderëve të kryetarëve të partive parlamentare.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Sipas tij do të ishte mirë që 100 ditët e fundit të qeverisjes, ekzekutivin ta drejtonte grua, duke hedhur poshtë mundësinë që kryeministri teknik të ishte nga radhët e ministrave aktual të BDI-së. Partitë shqiptare në opozitë kryesisht janë shprehur pro zgjedhjeve të dyfishta. Nga VMRO – DPMNE-ja konfirmojnë pjesëmarrjen në takim për dakordimin e datës.
“Qëndrimi ynë për zgjedhjet është i qartë që nga fillimi. Presim që kryeparlamentari Xhaferi dhe kryeministri Kovaçevski të mbajnë fjalën dhe do të thërrasin takimin, në të cilin do të marrim pjesë dhe të dakordohet data për zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe presidenciale.”, - u shpreh deputeti i VMRO – DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
Nëse qytetarët votojnë më 8 maj, atëherë afatet ligjore diktojnë mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare kah fundi i majit. Parlamenti do të nis punën sipas rregullores së re. Më së voni tre ditë pas konstituimit të Parlamentit duhet të zgjidhet kryeparlamentari, ndërkohë që konstituimi i qeverisë së re pritet të ndodhë ditët e fundit të qershorit.
MERAL ISMAILI
