Maqedoni

Skandali në Onkologji, Mizrahi publikon konstatimet e saj, jo konkluzat, LSDM-ja kërkon dorëheqjen e Mizrahit

27.11.2023 17:00

Anëtarët e Komisionit Anketues për Onkologjinë nuk mund të dakordohen...

Anëtarët e Komisionit Anketues për Onkologjinë nuk mund të dakordohen se me çfarë konkluzash do të dalin para opinionit për punën që kanë hetuar deri më tani. Kryetarja e Komisionit, Rashela Mizrahi, në seancë tha se përgjegjësi politike konstatohet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe; drejtorët e atëhershëm mjekësor dhe ekonomik të Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi; ish-drejtoreshën, Irina Sotirova Bukova dhe drejtorët e atëhershëm të FSSh-së, Stevo Kërtsevski dhe Faton Ahmeti.
 
Sipas saj, kjo përgjegjësi është konstatuar për shkak të shkeljes së parimeve kushtetuese, mosveprimit në fushën e shëndetësisë, si dhe shkelje e rregulloreve pozitive nga aktet nënligjore që rregullojnë organizimin, funksionimin dhe kontrollin e objekteve shëndetësore.
 
Ndaj këtyre propozim-konstatimeve reaguan anëtarët e LSDM-së. Ata kërkuan dorëheqjen e kryetares së Komisionit, Rashela Mizrahi, pasi siç thanë, ka bërë precedent dhe ka lexuar konkluzionet edhe pse nuk janë votuar në seancën e Komisionit.
 
“Këto konstatime që i propozojmë, kërkojmë që të futen në votim nga të gjithë anëtarët e Komisionit e jo qëndrimet personale të saj të përcillen si konstatime të Komisionit. Pa  u votuar nga Komisioni, i lexoi konkluzionet. Është në kundërshtim me Rregulloren, është shpërdorim detyre nga kryetarja e Komisionit dhe ne kërkojmë dorëheqjen e saj. Kjo është keqpërdorim klasik i funksionit. Komisioni Anketues në bazë të Rregullores për Punë është dashur të konstatojë nëse ka pasur keqpërdorim të trajtimit dhe të drejtave të pacientëve për trajtim në Klinikën përkatëse.”, - deklaroi anëtari i Komisionit Anketues nga LSDM-ja, Nenad Kociq. 
 
Sipas Mizrahit, konstatimet nuk janë aspak politike, por shkelje ligjore që janë konstatuar pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të dokumentacioneve.
 
“Këtu nuk ka politikë. Konstatimet e mia nuk bazohen as në politikë, as në hakmarrje. Kishte një atmosferë nervoze kur i lexova, edhe pse thjesht po ndiqja rrugën ligjore se si duhej të funksiononte sistemi dhe nuk funksionoi. Sot kërkuan shkarkimin tim për shkak të këtyre konkluzioneve. Nuk është hera e parë. Unë do t'i qëndroj të vërtetës dhe fakteve.”, - theksoi kryetarja e Komisionit Anketues për rastin e Onkologjisë, Rashell Mizrahi. 
 
Sipas saj, gjatë gjithë procedurës janë shkelur mbi 30 ligje, ndërsa dokumenti kyç që konstaton parregullsitë në punën e Klinikës për Onkologji është raporti i Entit Shtetëror për Revizion i vitit 2021. Mizrahi bën me dije se mandati i këtij Komisioni Anketues duhet të përfundojë më 3 dhjetor. 
 
SANIJE DURAKU