Maqedoni

Pagat e funksionarëve, Bytyqi: S’ka rritje të reja, por as ulje eventuale

27.11.2023 17:27

Ulja eventuale e pagave të funksionarëve nuk do të thotë rritje të pagave...

Ulja eventuale e pagave të funksionarëve nuk do të thotë rritje të pagave në sektorin publik. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Bytyqi, sa i përket protestave të një pjese të administratës të cilët rritjen e pagave të tyre e presin me uljen e pagave të funksionarëve. Bytyqi madje adresoi edhe kritika ndaj opozitës  duke thënë  se kjo është një lojë e tyre. 
 
“Është krijuar një pasqyrë e gabuar. Ulja e pagave nuk do të thotë rritje pagash për të tjerët, sepse niveli i uljes eventual të 1260 personave nuk është i mjaftueshëm për 135 mijë të punësuar në sektorin publik. Ajo mund të jetë një lojë që opozita e tanishme dëshiron ta bën, por është një premtim i rrejshëm që jemi mësuar ta shohim nga opozita aktuale kur ishin në pushtet.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi. 
 
Sa i përket rritjes së pagave të funksionarëve, Bytyqi siguroi se me buxhetin për vitin 2024 nuk është planifikuar një gjë e tillë.
 
“Rritje të pagave në muajin mars, siç e paralajmërojnë disa qarqe të ndryshme, nuk do të ketë dhe ju garantoj për këtë, për shkak se janë bërë intervenimet e duhura në ligj që të mos ketë një rritje të tillë dhe as në buxhetin për vitin 2024 nuk është planifikuar një gjë e tillë. Për pjesën tjetër të harmonizimit të pagave të funksionarëve, grupi punues ka disa ide, por akoma është në përpunim e sipër, sepse harmonizimi i 7 ligjeve për grupe të ndryshme të interesit nuk është model i lehtë, por unë them që grupi punues shumë shpejtë do të vijë me propozime në Qeveri dhe pastaj të tjerët vendosin se këto ligje do të sillen në afatin e caktuar.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi. 
 
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike gjithashtu informoi se me masat anti-krizë do të përfshihen rreth 400 mijë qytetarë nga kategoritë e rrezikuara.
 
GAZMEND KURTISHI