Maqedoni
Dëmtohet shtylla e tensionit në Draçevë, EVN punon në dislokimin e largpërçuesit
19.03.2015 15:08
Dëmtimi i shtyllës prej 110 kilovoltësh në afërsi të Draçevës ka lënë pa energji elektrike për 2 ditë...

Dëmtimi i shtyllës prej 110 kilovoltësh në afërsi të Draçevës ka lënë pa energji elektrike për 2 ditë këtë komunë dhe 11 zona të tjera të banuara përreth.
Sot dritat kanë ardhur dhe nga EVN thonë se mund të ketë reduktime të shkurta të energjisë, por jo edhe mungesë totale të saj.
Ata thonë se problemi qëndron në rrëshqitjen e tokës të shkaktuar nga ndërtimet pa kritere përreth shtyllës. Ndërprerja e furnizimit me energji pamundëson që energjia të arrijë deri në trafostacionin e Draçevës.
“EVN ka filluar sanimin e shtyllës 110 kilovoltëshe në trasën që furnizon Komunën e Draçevës, e cila u dëmtua nga rrëshqitja e tokës si pasojë e punëve ndërtimore që zhvillohen në këtë zonë. Një pjesë e dheut në rrugën rajonale Shkup-Draçevë ka rrëshqitur, duke dëmtuar kështu edhe shtyllën e energjisë elektrike”- deklaroi zëdhënësi i EVN-në, Atanas Kovaçevski.
Por, nga Komuna e Kisella Vodës thonë se fajtorë për rrëshqitjen e dheut janë shirat e fundit, pasi një kohë të gjatë në këtë vend nuk ka ndërtime.
“Ne e kemi inspektuar situatën në terren dhe mund të konstatohet se shtylla e rrymës është lakuar pak, por jo për shkak të murit të ndërtuar në afërsi, por po mendojmë se është bërë për shkak të vërshimeve të dendura në vend. Me përgjegjësi të madhe deklarojmë se në afërsi të vendit ku ndodhet largpërçuesi ka kohë të gjatë që nuk janë ndërmarrë punime ndërtimore”- tha Tanja Atanasovska-Ivanovska nga Komuna e Kisela Vodës.
EVN momentalisht ka gjetur një mundësi alternative për të furnizuar me energji elektrike banorët, duke siguruar energji elektrike nga trafostacionet e tjera përreth.
Banorët kanë energji elektrike, megjithëse më të dobët se zakonisht dhe pritet që së shpejti gjërat të normalizohen.
Largpërçuesi në hyrje të Draçevës edhe sot mbeti i lakuar, dhe në rast se shembet toka rrezikon të bllokojë rrugën magjistrale të 50 mijë banorëve.
EVN po shqyrton mundësinë për të dislokuar tërësisht largpërçuesin nga ky vend, në mënyrë që të mos ketë probleme të tilla në të ardhmen.
REXHEP QAMILI
