Maqedoni
Afera e përgjimeve, Ahmeti: dialog politik me ndërmjetësim ndërkombëtar
19.03.2015 15:31
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerëson se Komisioni Evropian duhet të bëhet pjesë e lehtësimit të arritjes së zgjidhjes së problemit të madh...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerëson se Komisioni Evropian duhet të bëhet pjesë e lehtësimit të arritjes së zgjidhjes së problemit të madh me përgjimet masive joligjore në vend dhe në rivendosjen e dialogut politik.
Në një takim në Tetovë me ambasadorin e Norvegjisë, Nils Ragnar Kamsvag, Ahmeti ka potencuar se ekipi i mandatuar politikisht nga Komisioni Evropian dhe i plotësuar me ekspertë ligjorë dhe të hetuesisë, në bashkëpunim me autoritet vendore duhet të kontribuojnë në vendosjen e dialogut politik në vend dhe në zbardhjen ligjore të aferës, duke përfituar besimin e të gjitha palëve të përfshira.
BDI konsideron se dialogu politik duhet të vendoset sa më parë dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, ndërsa zgjidhja e situatës duhet të jetë rezultat i vullnetit konstruktiv të partive politike në vend nëpërmjet dialogut të mirëfilltë.
Kjo çështje duhet të tejkalohet sa më shpejtë dhe të gjitha partitë duhet të rikthejnë fokusin në prioritetin e vendit, integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
Këtë e presin qytetarët tanë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim punon në këtë drejtim, ka potencuar Ahmeti.
Ai bëri thirrje për angazhim të drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar edhe në zgjidhjen e çështjes së emrit, sepse vetëm kështu mundësohet stabilitet i qëndrueshëm, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, por edhe zhvillimi ekonomik.
