Maqedoni
Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme: të pezullohet testimi ekstern dhe matematika
19.03.2015 15:43
Nxënësit e shkollave të mesme realizuan marsh protestues nga Parku i Qytetit “Fontana” deri te MASH-i...

Nxënësit e shkollave të mesme realizuan marsh protestues nga Parku i Qytetit “Fontana” deri te MASH-i, duke kërkuar pezullimin e realizimit të maturës shtetërore dhe në veçanti kundër lëndës obligative të matematikës.
Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme kërkon kthimin e konceptit të vjetër të maturës shtetërore dhe pezullim të Ligjit për Testim Ekstern.
“Fillimisht u dorëzua kërkesa që matematika të mos jetë në kuadër të lëndëve obligative dhe ajo u refuzua, po ashtu parashtruam kërkesë edhe për anulimin e testimit ekstern, por ende nuk kemi përgjigje. Testimi ekstern nuk ka rezultate pozitive disa vite me radhë, ka ankesa të shumta dhe gabime të natyrës teknike. Notat shënohen në dëftesë dhe shënohet edhe njëshi, që bën dëftesën të mos jetë valide”- deklaroi Monika Peshevska nga Plenumi i Nxënësve.
Plenumi parashtroi kërkesë deri te MASH-i dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit për pezullimin e dispozitave të Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm.
Më pas kërkojnë që të debatohet për këtë çështje me fakte dhe argumente dhe të kyçen edhe mësimdhënësit dhe nxënësit në debat.
Marshime të nxënësve të shkollave të mesme kishte edhe në Kumanovë,Veles, Strugë, Kavadarc dhe Negotinë.
FLUTURA LATIFI
