Maqedoni
28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, atmosferë festive në Shkup
28.11.2023 13:52
Ashtu si të gjithë shqiptarët në vendlindje dhe Diasporë, edhe shkupjanët po festojnë 28 Nëntorin...

Ashtu si të gjithë shqiptarët në vendlindje dhe Diasporë, edhe shkupjanët po festojnë 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e shtetit shqiptar. Me këtë rast rrugët e Shkupit janë stolisur me flamuj kombëtar, ndërsa janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh.
“Ja duke u përgatitur, duke blerë flamuj për fëmijët për të festuar sonte këtë festë që duhet ta festojnë të gjithë shqiptarët në shtëpi, ndërsa rinia do të dalin në qendër ta festojnë.”, - u shpreh një qytetar.
“28 Nëntor - Dita e Flamurit. Po, në shtëpi me familjen.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“28 Nëntorin do ta festojmë në Shkup në shesh. Mirë, me shokë, me familje.”, - tha një qytetar.
“Mirë, tani sa kemi filluar. Tani po dalim kah qyteti, kah sheshi.”, - tha një qytetar tjetër.
“28 Nëntori - Dita e Flamurit. Po, do të shkojmë kah Prishtina, urime të gjithëve për shumë vite.”, - theksoi një qytetar.
Shitësit në Bit Pazar thonë se kjo ditë është e madhe për të gjithë shqiptarët dhe interesimi për të blerë flamuj është i madh.
“Shumë mirë është, flamujt shiten. Mirë është. Ka, si nuk ka, pa bukë kemi për të qëndruar e flamurin kemi për ta blerë. Ajo është më kryesorja, ne për atë jetojmë.”, - u shpreh një shitës.
Shqipëria shënon sot 111 vjetorin e Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit që përkujtohet çdo vit me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Festimet do të nisin në Vlorë ku do të kryhet ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit me shkabën dykrenare. I pranishëm në këtë ngjarje do të jenë krerët më të lartë të shtetit, mes të cilëve dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
VLORA LATIFI TOPOJANI
