Botë

28 Nëntori, festë për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë

28.11.2023 14:09

Ashtu si edhe më 28 nëntor të 111 viteve më parë në Vlorë, sot u ngrit sërish flamuri kuqezi....

Ashtu si edhe më 28 nëntor të 111 viteve më parë në Vlorë, sot u ngrit sërish flamuri kuqezi. Krerët më të lartë të shtetit, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryen homazhe në Muzeun e pavarësisë. Në kushtet e motit të keq liderët nuk mbajtën fjalë, por Albin Kurti i pyetur nga gazetarët, shmangu komentet politike, duke thënë se 28 Nëntori është ditë përbashkuese.
 
“Ishte kënaqësi që të ndjekim ekspozitën e kuruar me shumë kujdes dhe pasion nga Edi Kojani me piktorë vlonjatë. Pastaj do shohim përmbledhjen filatelike ndërkaq në hyje janë dokumentet historike të komunitetit Mbrojtja Ndërkombëtare e Kosovës nga maji i vitit 1918 deri në janarin e vitit 1923. Me këtë rast gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin. Këtë festë të madhe të flamurit dhe lirisë së Pavarësisë dhe bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan dhe në botë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi dhe feste dhe çdo ditë tjetër duhet të punojmë idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, e Ismail Qemalit nga Vlora dhe të Adem Jasharit nga Prekazi.”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Festimet në Tiranë u hapën nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se shqiptaria është në ditët e saj më të mira.
 
“Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme.“, tha kryebashkiaki i Tiranes, Erion Veliaj.
 
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u mbajt për herë të parë “Parada e Shqiptarëve” që për 15 vjet rresht është mbajtur në Nju Jork. Pjesë e saj ishin 150 ansamble nga të gjitha trojet dhe 50 të tjera nga arbëreshët e Italisë.
 
Me kostume popullore tradicionale e valle dhe flamurin shqiptarë në duar, ato parakaluan në bulevard për t’i treguar botës kulturën e shqiptarëve.
 
Liderët më të lartë të shtetit e përkujtuan këtë ditë me mesazhe në rrjetet sociale, ndërsa urime u përcollën edhe nga ambasada amerikane, ajo gjermane, NATO-ja, si dhe nga institucione të tjera.
 
LULJETA NDOKA