Botë

Armëpushimi në Gaza zgjatet për 48 orë, lirohen 33 pengje palestineze dhe 11 izraelite

28.11.2023 14:22

Armëpushimi në Gaza, pas marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit, është zgjatur edhe për dy ditë...

Armëpushimi në Gaza, pas marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit, është zgjatur edhe për dy ditë, me kushtin e lirimit të pengjeve të rrëmbyera nga të dyja palët. Me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq u liruan edhe 33 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, në këmbim të 11 pengjeve  izraelite që mbaheshin nga Hamasi. 

“Pra, e morëm lajmin përpara se të liroheshin nipi dhe mbesa ime. Na njoftuan se në listë ishin Noami, djali 17 vjeç dhe mbesa ime. Pavarësisht se u vonuan shtatë orë nga koha e caktuar, në fund të ditës fëmijët kaluan kufirin, ata u takuan nga gjyshja dhe vëllai i madh, i cili është 18 vjeç. Ne ishim në ankth pasi nuk besonim se do të na dorëzonin.”, - u shpreh xhaxhai i pengjeve të liruar të Hamasit, Ahal Besorai.
 
“Ishte ora 9 e mëngjesit dhe unë isha ulur kur gardianët erdhën dhe thanë se do të më merrnin në pyetje, më pas na vunë  prangat dhe na nxorën jashtë. Më thirrën nga inteligjenca dhe më thanë se do të më lironin nga burgu, por më kërcënuan se nëse bëj diçka do të arrestohesha sërish.”, - theksoi palestinezi i liruar nga burgu, Abdulaziz Maatan.
 
"Personalisht më goditën në këmbë dhe në duar dhe më është thyer gishti. Më pas na lëshuan gaz në fytyrë. Ata i rrahën vajzat, hynin çdo ditë në qelitë e burgut dhe na ndaluan të hanim. Politika e tyre ishte që të vdisnim nga uria dhe etja dhe na godisnin vazhdimisht.", - u shpreh palestinezja e liruar nga burgu, Jasmine Shaaban.
 
Zgjatja e armëpushimit shihet si mundësi për të ndihmuar civilët në Gaza dhe lirimin e sa më shumë nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
“Unë do të thoja se është një paraqitje e shkurtër e shpresës dhe njerëzimit në mes të errësirës së luftës. Shpresoj fuqishëm se kjo do të na mundësojë të rrisim edhe më shumë ndihmat humanitare për popullin në Gaza që po vuan kaq shumë, duke e ditur se edhe me atë kohë shtesë do të jetë e pamundur të plotësohen të gjitha nevojat dramatike të popullsisë në Gaza.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
"Unë mirëpres zgjatjen e pauzës në armiqësitë në Gaza. Kjo ka lejuar lehtësimin shumë të nevojshëm për njerëzit në Gaza dhe gjithashtu lirimin e më shumë pengjeve, si dhe sigurimin ose dërgimin e më shumë ndihmave humanitare.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Sipas marrëveshjes, 150 palestinezë në burgjet izraelite do të lirohen në këmbim të 50 të burgosurve izraelitë që mbahen nga Hamasi. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, por edhe ministri i Mbrojtjes, Joav Gallant, njoftuan se pas përfundimit të pauzës humanitare, sulmet në Rripin e Gazës do të jenë edhe më të ashpra. Që nga fillimi i konfliktit, më shumë se 15,000 palestinezë janë vrarë, 72% janë gra dhe fëmijë. Ndërsa numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është rreth 1,500.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU