Maqedoni
Ligji për Qeverinë, Mickoski: Qeveria teknike t’i takojë të kaluarës
28.11.2023 14:40
Kryeministri teknik, i propozuar nga BDI-ja dhe i mbështetur nga LSDM-ja...

Kryeministri teknik, i propozuar nga BDI-ja dhe i mbështetur nga LSDM-ja, nuk do të ketë as legjitimitet qytetar e as politik dhe duhet të intervenohet në ligjin për Qeverinë, thotë lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski. Sipas tij, çështja e Qeverisë teknike duhet t’i takojë të kaluarës, sepse nuk i shërben popullit e as ardhmërisë së shtetit.
“Qeveria teknike e udhëhequr me një zgjidhje të tillë kadrovike, por edhe vetë thelbi i qeverisë teknike duhet të jetë pjesë e së shkuarës. Ne jemi të mendimit se duhet të ndërhyhet në ligjin për qeverinë dhe në Kodin Zgjedhor dhe se ky seksion për qeverisjen teknike duhet të jetë pjesë e së kaluarës dhe jo e së ardhmes së Maqedonisë.”, - deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Markoska: Ka negociata, detaje pas takimit të liderëve
Kërkesa e VMRO-DPMNE-së që të hiqet qeveria teknike si mundësi duhet të pret, thonë nga LSDM-ja. Një gjë e tillë mund të zbatohet vetëm pas harmonizimit të qëndrimeve mes liderëve të partive politike.
“Ka negociata rreth kësaj çështjeje, pra të presim mbajtjen e takimit të liderëve dhe pastaj të gjithë bashkë do të kuptojmë si dhe çka do të zhvillohet në periudhën e ardhshme.”, - theksoi Daniela Markoska nga LSDM-ja.
Nga LSDM-ja thonë se nëse arrihet marrëveshje në takimin e liderëve, atëherë organet e partisë do të sjellin qëndrim konkret për këtë çështje.
SANIJE DURAKU
